Serie A, Milan provon sërish për Sanches; Galtier preferon Thuram tek PSG

Sport

Herë si lojtar i ardhshëm i Milanit e herë i PSG, e ardhmja e Renato Sanches mbetet ende në dyshim. E vetmja gjë e garantuar për mesfushorin portugez për momentin është largimi i tij nga Lille gjatë kësaj vere, duke qenë se i skadon kontrata me klubin francez. Pak kohë më parë u fol se kishte një marrëveshje paraprake rreth kalimit të Renato Sanches tek PSG, por presidenti i Lille hodhi poshtë çdo gjë. Ndërsa tani faktor bëhet edhe trajneri i ri i kampionëve të Francës, Christophe Galtier, që sipas mediave vendase, preferon afrimin e Kephren Thuram se sa atë të Sanches. Khephren Thuram është djali i legjendës, Lilian dhe Galtier ka patur mundësinë ta njohë në kohën kur drejtonte skuadrën e Nice. Tekniku 55-vjeçar ka mbetur i kënaqur nga paraqitjet e mesfushorit të ri dhe e ka bërë të qartë tek drejtuesit e PSG se është një prioritet në merkaton e tij.

Kjo ka bërë që Milanit t’i hapet sërish rruga për Renato Sanches. Agjenti i portugezit, Jorge Mendes është në kontakte të vazhdueshme me Maldini-n dhe Massara-n. Gjithësesi, operacioni mbetet i komplikuar për sa kohë që PSG mbetet i përfshirë. Tek Lille do të përpiqen të përfitojnë sa më shumë nga shitja e mesfushorit, të cilit i skadon kontrata në qershorin e vitit të ardhshëm. Vetë Sanches ende nuk ka shfaqur ndonjë dëshirë konkrete se ku dëshiron të luajë në sezonin tjetër, por tek Milani, duket se ka mundësitë më të mira për të qenë një protagonist. Kuqezinjtë në anën tjetër nuk kanë ndërmend të nxitojnë në ofertën e tyre për Sanches, duke qenë se Pioli është impresionuar nga mesfushorët e rinj që i janë bashkuar këtë verë skuadrës, Yacine Adli dhe Tommasso Pobega.

Ndërkohë që vijon puna për rinovimet e kontratave tek kampionët e Italisë. Ibrahimovic pritet të takohet së shpejti me drejtuesit e klubit për të firmosur rinovimin e kontratës, teksa mbetet paksa e komplikuar situata me Rafael Leao-n. Portugezi, i cili ishte njeriu i sezonit të kaluar për Milanin, për momentin nuk i është përgjigjur propozimit për rinovimin e kontratës me pagën 4,5 milionë euro në vit. Kuqezinjtë me gjasa do ta rrisin deri në 6 milionë ofertën e tyre dhe presin të arrijnë një akord me agjentin Jorge Mendes.Sa i përket merkatos në hyrje, vazhdon puna edhe për De Ketelaere, i cili mbetet dëshira më e madhe e Maldini-t dhe Massara-s, të mbështetur edhe nga fjalët e mira të bashkëpunëtorit të tyre, Moncada. Gjasat janë që brenda harkut kohor të një jave, talenti belg të plotësojë kalimin e tij tek Milani, ku pritet të ketë një rol të rëndësishëm tek skuadra e trajnerit Stefano Pioli.