Milani u mposht 3-2 në miqësoren kundër Real Madrid, të luajtur në Pasadena, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse kuqezinjtë kishin një avantazh prej 2 golash, falë realizimeve të Tomori-t dhe Luka Romero-s, madrilenët ia dolën të përmbysnin gjithçka në pjesën e dytë. Fillimisht ishte portieri Sportiello që bëri një gafë në goditjen nga distanca të Valverde-s, i cili vetëm një minutë më vonë përfitoi nga pasimi i gabuar i Tomori-t. Në fund, Vinicius vulosi fitoren e madrilenëve, që gjithësesi mban të buzëqeshur trajnerin e Milanit, Stefano Pioli. Pas sfidës, tekniku 57-vjeçar është shprehur i kënaqur me atë se çfarë ka parë në fushën e blertë nga ana e lojtarëve të tij, duke thënë se tashmë ka në dispozicion lojtarë mjaft të fortë si Pulisc, Loftus-Cheek e Reijnders, që mund të bëjnë diferencën e që për më tepër i janë mundësinë të luajë në module të ndryshme në fazën sulmuese. Edhe pse ka kaluar pak kohë që kur skuadra ka nisur fazën përgatitore, Pioli mendon se takimi ndaj Realit dëshmon që me kalimin e ditëve, lojtarët e rinj do të njihen më mirë me pjesën e mbetur të ekipit, teksa nuk harroi të vinte theksin tek përmirësimi i gjendjes fizike. Kuqezinjtë në fakt nuk është se shfaqën probleme në këtë aspekt, por Pioli kërkon që ata të jenë në maksimumin e tyre deri në përfundimin e turit përtej Atlantikut. Numri 1 i stolit të kuqezinjve nuk harroi të komentonte edhe Luka Romero-n, i cili shënoi një gol mjaft të bukur, duke thënë se djaloshi 18-vjeçar ka talentin dhe parametrat e duhura për t’u bërë një element i rëndësishëm për skuadrën, por kjo do të kërkojë akoma më shumë punë prej tij dhe Pioli mendon se spanjolli e ka vullnetin për diçka të tillë. Në fund të intervistës, Pioli u ngacmua edhe rreth çështjes ‘Chukwueze’, por refuzoi të jepte komente duke thënë se anësori aktualisht nuk është një lojtar i Milanit dhe për arsye etike, nuk mund të fliste për të.