Ndalesa e futbollit për klube dhe angazhimet e lojtarëve në përvfaqësueset e tyre nuk ka shkuar aspak siç duhet për Milanin. Pas dëmtimit të Alexis Saelemaekers, mungesa e të cilit i hap jo pak telashe trajnerit Massimiliano Allegri, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vjen një tjetër lajm aspak i mirë. Një nga më të mirët deri më tani për kuqezinjtë, Christian Pulisic, ka braktisur fushën e blertë me përfaqësuesen e tij në minutën e 31, për shkak të një dëmtimi. Edhe pse në pamje të parë nuk mendohet të jetë një dëmtim aq i rëndë, gjasat janë që Pulisic të mungojnë në dy ndeshjet e ardhshme për Milanin. Stafi mjekësor beson se e kanë ndalur Pulisic në momentin e duhur, për të mos e lejuar agravimin e dëmtimit të tij, megjithatë, lojtari do t’i nënshtrohet testeve sapo të mbërrijë në Milano, për të kuptuar se kur mund të jetë gati për t’u rikthyer në fushë. Edhe trajneri i Amerikës, Pocchettino u shpreh pas ndeshjes me Australinë, se ishte vetë lojtari që kërkoi zëvendësimin, pasi ndjeu dhimbje në muskulin e kofshës, prandaj gjasat janë që largimi i tij nga fusha të ketë ndodhur në kohë. Nëse dëmtimi do të konsiderohet serioz, Pulisic rrezikon të humbasë jo vetëm sfidën me Fiorentinën në fundjavë, por edhe ato pasardhëset, ndaj Pizës, Atalantës apo Romës, që mund të jenë mjaft delikate në rrugëtimin e kuqezinjve në kampionat gjatë këtij sezoni. Kështu, duke parë edhe shqetësimet fizike të Rafael Leao-s me përfaqësuesen portugeze, gjasat janë që për Milanin, si titullar në fazën e sulmit, kundër Fiorentinës, ta nisin Santiago Gimenez dhe Christopher Nkunku. Ky i fundit, duket se po e fiton formën fizike të kërkuar nga Allegri, teksa ishte protagonist edhe me një gol me përfaqësuesen franceze.
