Serie A, Milan nis kontaktet me Hojlund; Athekame pranë zyrtarizimit

Sport

Rasmus Hojlund është kthyer në një objektiv serioz për merkaton e Milanit. Mediat italiane kanë zbuluar se drejtuesit kuqezi kanë filluar të kenë kontakte edhe me përfaqësuesit e lojtarit, për ta bindur të braktisë Manchester United e për t’u rikthyer në ‘Serie A’, këtë herë me fanellën e Milanit. Tek skuadra angleze janë të gatshëm ta lënë të lirë lojtarin, edhe nëse bëhet fjalë për një formulë huazimi me të drejtë blerje. Por vetë Hojlund nuk ka qenë shumë i bindur, të paktën sipas asaj që kanë deklaruar burimet pranë sulmuesit. Megjithatë, duke parë se mes Milanit dhe agjentëve të Hojlund kanë filluar kontaktet e para, do të thotë se transferimi i tij në ‘San Siro’ është mëse i mundur. Për të gjetur një akord me lojtarin nuk do të jetë e lehtë, për shkak të pagës së lartë që Hojlund përfiton aktualisht në radhët e Manchester United. Po ashtu, tek Milani nuk e ka të garantuar minutazhin si titullar, pasi në radhët e kuqezinjve është edhe Santiago Gimenez, për të cilin u bë një investim i rëndësishëm në janarin e kaluar.

Sa i përket prapavijës, shumë shpejt, tek Milani pritet të zyrtarizohet Zachary Athekame. 20-vjeçari zviceran, që luan si një mbrojtës i djathtë, do të jetë investimi i radhës për një nga pozicionet më delikate tek kuqezinjtë në sezonet e fundit. Lojtari pritet t’i nënshtrohet edhe testeve mjekësore përpara se të firmosë kontratën. Milani do të paguajë në total 10 milionë euro për kartonin e Athekame, ndërkohë që Young Boys, do të mbajë edhe 10% të arkëtimeve të shitjes së lojtarit në të ardhmen.