Serie A, Milan, Ngec sërish rinovimi i Rafael Leaos

Sport

Edhe pse disa ditë më parë u raportua se Milani po shtynte në hapa përpara sa i përket rinovimit të kontratës së Rafael Leaos, një gjë e tillë duket e vështirë të ndodhë për momentin. Bisedimet mes palëve nuk janë më aq intensive sa më parë, çfarë mund të dëshmojë në një krisje të raportit të Maldinit me përfaqësuesit e Leaos, që udhëhiqen nga agjenti i mirënjohur, Jorge Mendes. Drejtuesit e Milanit janë të irrituar, pas përpos kërkesave të ardhura në emër të lojtarit, Leao nuk po shfaq më rendiment të lartë në fushën e lojës. Një nga gjërat që e kanë bllokuar për momentin rinovimin me sulmuesin është çështja e klauzolës së largimit të tij. Tek Milani dëshirojnë që në kontratën e re të Leaos, të vijojë të mbetet në fuqi klauzola prej 150 milionë eurosh, diçka që Mendes nuk e dëshiron. Po ashtu babai i Leaos dhe avokati i tij këmbëngulin që të mos ekzistojë një klauzolë e tillë, me Maldinin që nuk ka ndërmend të bëjë më kompromise me përfaqësuesit e sulmuesit portugez. Leao ka një kontratë me kampionët në fuqi të Italisë që skadon në qershorin e 2024-ës dhe drejtuesit nuk duan të hyjnë në diskutimin e vitit të fundit të kësaj marrëveshjeje, për të mos patur surpriza të tjera të pakëndshme si ato të Donnarumma-s apo Kessie në të kaluarën. Maldini e Massara do të provojnë sërish të gjejnë gjuhën e përbashkët, por aktualisht, të gjithë janë të përqëndruar tek kriza në fushën e blertë, pasi një situatë më normale me rezultatet e skuadrës, do t’i bënte shumë gjëra më të thjeshta.