Aventura e Alvaro Morata-s tek Milani zgjati shumë më pak se sa ishte menduar në verë, kur sulmuesi spanjoll bëri transferimin e tij në Itali. Shumë mendonin se 32-vjeçari do të ishte një nga liderët e skuadrës, të paktën deri në fundin e sezonit, por brenda pak muajsh, gjërat ndryshuan. Në janar, Morata u largua nga Milani për t’u bërë pjesë e Galatasaray-t, ku në aspektin personal po kalon një moment të mirë. Në një nga intervista e fundit të sulmuesit për të mirënjohurën spanjolle ‘Marca’, Morata ka folur edhe për aventurën e tij te kuqezinjtë, ku shpjegoi arsyet që sipas tij, çuan në përfundimet e merkatos së janarit. Morata deklaroi se trajneri Fonseca ishte ai që e bëri të pranonte transferimin tek Milani, duke u shprehur se kishte besim tek aftësitë e tij dhe tek ajo që donte të shpaloste në fushën e blertë. Për më tepër, pas largimit nga Atletico, kishte nevojë të ndryshonte ambjent dhe tek Milani pa kushtet e duhura për t’i dhënë mendjes dhe trupit të tij atë se çfarë dëshironte. Fonseca ia kishte shprehur se e admironte sulmuesin dhe e shihte si lider, çfarë e shtyu të besonte tek aventura e re. Mirëpo sipas tij, gjërat ndryshuan brenda pak muajsh. Pas largimit të Fonseca-s, Morata zbulon se drejtuesit e Milanit vendosën të ndryshonin edhe projektin, duke afruar një trajner të ri e duke kërkuar një qasje tjetër në fushën e lojës. Kjo bëri që sulmuesi spanjoll të mos e ndjente më qetësinë e ngrohtësinë që kishte gjetur në fillimin e aventurës së tij tek kuqezinjtë, çfarë në fund, dërguan edhe në largimin e tij në janar drejt Turqisë. Sa i përket aventurës me Galatasaray-n, Morata u shpreh se është shumë i lumtur për vendimin që ka marrë dhe se po e shijon momentin e tij tek gjigandët e futbollit turk. Ai e pranon se gjendet në një vend të mrekullueshëm, me tifozë të zjarrtë dhe që nuk reshtin së mbështeturi, si në fushë, edhe jashtë saj. Ndërkohë që edhe familja e tij është mirëpritur që nga momenti i parë. Morata zhvilloi 25 ndeshje me fanellën e Milanit, duke e mbyllur me 6 gola të shënuar e 2 asiste.
