Dusan Vlahovic mund t’i realizohet dëshira për t’u transferuar tek Milani. Sulmuesi serb, i cili ka refuzuar disa oferta të rëndësishme të ardhura drejt tij, po këmbëngul për të mbetur në elitën e futbollit italian dhe për momentin, Milani duket të jetë mundësia më e mirë për të. 25-vjeçari po shihet më së shumti si një problem për Juventusin në këtë merkato verore, teksa pretendimet e secilës palë mund të komplikojnë edhe më tej gjërat. Tek Milani, drejtuesit i kanë dhënë ‘dritën jeshile’ Igli Tares për të nisur bisedimet paraprake për Vlahovic, por kuqezinjtë nuk kanë ndërmend të paguajnë 20 milionë euro për kartonin e serbit. Duke qenë se lojtarit i ka mbetur vetëm një vit kontratë me Juventusin, tek Milani mendojnë se mund t’i bindin torinezët për të lejuar largimin e Vlahovic për një çmim më të ulët. Nga ajo që raportojnë mediat italiane, Tare nuk do të ofrojë më shumë se sa 10 milionë euro për kartonin e sulmuesit serb, por nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së ndonjë bonusi. Edhe pse për Juventusin kjo shihet si një shifër e ulët, torinezët kërkojnë të lirohen nga paga prej 12 milionë eurosh e Vlahovic, që mund të kursehen dhe të përdoren për ndonjë afrim tjetër në merkato.
Ndërkohë që edhe vetë lojtari do të duhet të bëjë disa sakrifica për ta bërë realitet këtë lëvizje. Tek kuqezinjtë, Vlahovic nuk mund të marrë kurrësesi atë që fiton aktualisht si lojtar i Juventusit. 25-vjeçari do të duhej të përgjysmonte pagën e tij, për të qenë në nivelet e lojtarëve të tjerë të rëndëisshëm të Milanit, teksa edhe për të, nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së ndonjë bonusi. Serbi e dëshiron ribashkimin me trajnerin Allegri, por nëse nuk plotësohen këto kushte financiare, atëherë ky transferim nuk do të realizohet. Vlahovic u bë pjesë e Juventusit në janarin e vitit 2022, kur u transferua nga Fiorentina për më shumë se 83 milionë euro. Nga ai moment, sulmuesi llogarit 145 ndeshje me fanellën bardhezi, me 58 gola të shënuar e 14 asiste.