Milani pritet të jetë një ndër skuadrat më aktive në merkaton e kësaj vere, ku Sven Botman mbetet si objektiv kryesor. Çështja e mbrojtësit holandez mbetet e komplikuar për shkak të përfshirjes së Neëcastle në këto tratativa, por Maldini dhe Massara vijojnë punën edhe për të siguruar përforcime në sulm. Mediat italiane raportojnë se Milani dhe Crotone po shkojnë drejt një marrëveshjeje finale sa i përket transferimit të plotë të Junior Messias. Braziliani luajti si i huazuar përgjatë sezonit 2021/2022, ku parashikohej dhe e drejta për blerjen e kartonit të lojtarit për shifrën e 5,5 milionë eurove. Kuqezinjtë nuk kanë pranuar ta paguajnë këtë shifër dhe pas një serie takimesh për drejtuesit e Crotone-s, thuhet të jetë arritur një akord paraprak, që do të lejonte kalimin e plotë të Messias tek kampionët e Italisë për shifrën e 3,5 milionë eurove. Maldini do i kursente Milanit të paktën 2 milionë euro, që mund të përdoren për një mision tjetër të merkatos.
Ideja më e fundit sa i përket sulmit është Matteo Politano. Edhe pse nuk shihet si prioritet nga Maldini e Massara, që mund të hyjnë në bisedime serioze për kartonin e 28-vjeçarin, vetëm nëse De Laurentiis do të kërkojnë një çmim të arsyeshëm. Aktualisht pjesë e Napolit, Politano ka një kontratë që vlen deri në qershorin e 2024-ës. Përgjatë sezonit që lamë pas, anësori ka qenë një element shumë i rëndësishëm për trajnerin Spalletti, ndërkohë që tek Milani e shohin si një element të mirë sa i përket rotacionit që kërkon të bëjë Pioli në sezonin e ardhshëm, duke parë edhe kalendarin e ngjeshur. Tek Napoli pretendojnë rreth 15 milionë euro për Politanon, por në rast se do të vendosin të ecin përpara në këtë tratativë, tek Milani do të kërkojnë të ulin sa më shumë kostot.