Serie A, Milan, Maignan ‘provokon’ Renato Sanches; Maldini pret përgjigje për De Ketelaere

Sport

E ardhmja e Renato Sanches do të jetë në Paris ose Milano. Kjo ishte fjalia e presidentit të Lille, Olivier Letang, në lidhje me transferimin e mesfushorit portugez. PSG dhe Milani janë skuadrat që kanë paraqitur oferta konkrete për lojtarin dhe tek Lille nuk do të bëjnë asnjë pengesë, por kanë lejuar që vendimin final se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, Sanches ta marrë vetë. Si për të ndezur disi gjërat në lidhje me interesimin e kuqezinjve, ka menduar edhe portieri i kampionëve të Italisë, Mike Maignan. Ky i fundit ishte pjesë e Lille deri në verën e shkuar dhe gëzon një marrëdhënie shumë të mirë me Renato Sanches. Në rrjetet social, mesfushori portugez shfaqet në stërvitje e sipër me fanellën e kuqe të Lille dhe Maignan ka ‘provokuar’ duke i thënë se i shkon shumë ngjyra e kuqe. Kjo i referohet edhe fanellës së Milanit, prandaj tifozët kanë nxituar ta quajnë si një thirrje që portieri më i mirë në ‘Serie A’ në sezonin e shkuar i ka bërë ish-shokut të tij të skuadrës. Pavarësisht se nuk është folur aq shumë sa në fillimet e verës nëpër media, Renato Sanches mbetet një objektiv i rëndësishëm i merkatos së Milanit, që vazhdon të punojë për ta bindur 24-vjeçarin portugez të pranojë transferimin në ‘San Siro’.

Në anën tjetër, Maldini dhe Massara vijojnë punën edhe për Charles De Ketelaere. të mërkurën kanë patur një takim të gjatë me përfaqësuesit e Club Brugge, pasi me lojtarin është arritur një akord. Për momentin, situata mbetet e komplikuar nga përfshirja e Leeds, që ofron më shumë për kartonin e 21-vjeçarit. Gjithësesi, dëshira e këtij të fundit mund të jetë mjaft e rëndësishme në vendimin final, me Maldinin që në orët në vazhdim pret një përgjigje finale nga drejtuesit e Club Brugge.