Serie A, Milan, Leao nuk kursen elozhet për trajnerin Allegri

Sport

Me largimin e Theo Hernandez, Rafael Leao është lojtari me më shumë ndeshje me fanellën kuqezi tek Milani aktual. Sulmuesi portugez, pavarësisht një sezoni me shumë ulje-ngritje, vijon të ketë besimin e drejtuesve të klubit, që e shohin si një element kyç të projektit të tyre. Edhe trajneri Massimiliano Allegri e konsideron si një nga emrat që nuk preken tek formacioni kuqezi, prandaj në sezonin e ardhshëm, Leao duhet të kthehet sërish si lojtar vendimtar. Nga grumbullimi i skuadrës në Singapor, Leao është shfaqur në të njëjtin linjë me trajnerin e tij kur është pyetur rreth objektivave të sezonit të ri. Portugezi e pranoi se fakti që nuk do të jenë pjesë e ‘Champions League’-ës është diçka që akoma nuk përjetohet mirë në kampin e kuqezinjve, prandaj synimi kryesor për ta, është të rikthehen menjëherë në elitën e futbollit europian. Dëshira për të fituar trofe mbetet ende e madhe, prandaj 26-vjeçari synon të respektojë pritshmëritë ndaj tij e të bëjë liderin në këtë sezon të ri.

Nuk janë kursyer ndërkohë elozhet për trajnerin Allegri, që Leao e cilëson si njeriun e duhur për të shtruar rrugën drejt suksesit, duke iu referuar faktit se tekniku livornez ka fituar trofe në krye të stolit të Milanit vite më parë. Sipas Leao-s, impakti i parë mes ekipit dhe trajnerit ka qenë shumë pozitiv. Allegri është përpjekur të trajtojë me kujdes të veçantë secilin individ, e për këtë arsye, kjo fazë përgatitore është kthyer në një stërvtije intensive e me orë të zgjatura, pasi secili dëshiron të provojë se është gati për detyrat që do të kenë në sezonin e ri.

Rafael Leao është pjesë e Milanit që nga vera e 2019-ës, kur u transferua për thuajse 50 milionë euro nga skuadra e Lille. Gjatë 2024/2025-ës, Leao zbriti në fushën e blertë në 50 ndeshje, ku shënoi 12 gola e shërbeu 13 asiste, që gjithësesi kanë qenë të pamjaftueshme për të ndihmuar Milanin të plotësonte qoftë edhe objektivat minimalë.