Serie A, Milan, Kriza e pashpjegueshme e kuqezinjve; janë jashtë çdo objektivi

Sport

Humbja 4-0 ndaj Lazio-s është padyshim ndër më të rëndat për Milanin në dy sezonet e fundit. Kuqezinjtë kanë marrë një goditje shumë të fortë, por që duket të ishte e paralajmëruar, pas paraqitjeve të dobëta të kampionëve në fuqi të Italisë. Milani është zyrtarisht në krizë. Është në krizë rezultatesh, krizë loje, mentaliteti në fushën e blertë dhe në çdo gjë tjetër. Por problemi më i madh për trajnerin Pioli dhe drejtuesit e skuadrës është fakti që për këtë krizë, nuk ka një shpjegim të qartë. Nëse nga pandemia dikur u kthyen më të fortë se kurrë në dekadën e fundit, këtë herë, rikthimi pas botërorit në Katar për Milanin po rezulton në kthim pas në kohë. Ndaj Romës bënë një ndeshje shumë të mirë, por u barazuan në limite me dy gola të Ibanez e Abraham. Ndaj Lecce-s u dhanë sinjalet e para të krizës. Torino i eleminon me 1 lojtar më pak nga ‘Kupa e Italisë’. Më pas, erdhi dështimi total në Riad, në ‘SuperKupë’, duke humbur derbin ndaj Interit. Tani ishte radha e Lazio-s, t’u jepte një tjetër ‘shuplakë’ kampionëve në fuqi, që vetëm si të tillë nuk duken më. Mungesat mbeten një problem për kuqezinjtë prej 3 vitesh tashmë. Portieri Mike Maignan, një nga pikat e forta të skuadrës, nuk luan që nga 22 shtatori. Tatarusanu, me të drejtë është vendosur në bankën e të akuzuarve nga tifozët për paraqitjet e tij të dobëta. Por për atë se çfarë ndodh në fushë, nuk mund të fajësohet vetëm rumuni. Mbrojtja e Milanit po pëson gola më shpejt se çdo skuadër tjetër në Itali në 3 javët e fundit. Roma, Lecce e Lazio, i ndëshkuan me 1 apo 2 gjuajtjet e para drejt kuadratit. 12 gola të pësuar në 5 ndeshje, 7 vetëm në 2 takimet e fundit. Milan është zyrtarisht jashtë çdo objektivi. Të eleminuar nga ‘Kupa’, dështim në ‘SuperKupë’ dhe një distancë prej 12 pikësh me Napolin kryesues. Edhe pse ka ende shumë ndeshje përpara dhe matematika u jep të drejtë të shpresojnë, tek Milani duket se do ta mbyllin sezonin pa trofe, duke qenë kështu jashtë pritshmërive të tifozëve dhe drejtuesve. Në ‘Champions League’ duket marrëzi të mendosh se kuqezinjtë mund të prekin finalen. Madje, në këtë rast, më e mundshme është të arrihet Napoli në kampionat se sa kalimi i fazave të tjera në elitën e futbollit europian, aty ku Milani, prej më shumë se 1 dekade nuk respekton historinë e vet. Për të kaluar më pas tek merkato. Ajo e verës ishte një dështim total. De Ketelaere nuk ka dhënë ende asgjë. Origi më shumë ka munguar se sa ka luajtur, ndërsa Adli praktikisht është një mister. Investime të mëdha nuk do të ketë dhe kjo është bërë e qartë disa herë nga ana e Maldinit. I vetmi që mund të vijë si një goditje e rëndësishme, është Nicolo Zaniolo. Një lojtar që thuhet se mund të ndryshojë shumë gjëra për skemat e Piolit, por a është vërtet Zaniolo ‘shpëtimi’ i Milanit tani?! Edhe nëse përgjigja do të ishte ‘po’, gjasat që kuqezinjtë ta transferojnë janë të njëjtat me ato që Napoli, të humbasë vendin e parë.