Milani vijon punën për t’u përforcuar në këtë merkato verore. Humbja në ndeshjen e hapëse të kampionatit ndaj Cremonese-s, zbuloi edhe njëherë problemet e kuqezinjve, që raportohen se janë vënë në kërkim të një tjetër mesfushori. Me Musah gjithnjë e më pranë largimit, trajneri Allegri ka kërkuar një tjetër emër të rëndësishëm për këtë repart. Adrien Rabiot thuhet se është dëshira e madhe e kuqiznjve, duke shfrytëzuar edhe faktin që lojtari është i përjashtuar nga Marseille, pas një përplasje fizike që lojtari pati me një prej kolegëve të tij në dhomat e zhveshjes. Për këtë arsye, Rabiot mund të vinte me një çmim të arsyeshëm, edhe pse pretendimet e tij për pagën mbeten të larta.
Një tjetër emër që po lakohet së fundmi si një përforcim i mundshëm i Milanit, është Giovanni Fabbian. Për lojtarin e Bologna-s, tek Milani janë gati të paguajnë rreth 15 milionë euro, duke llogaritur edhe bonuset, shifër që nuk është se i kënaq plotësisht kërkesat e kuqebluve. Bologna synon të përfitojë më shumë nga shitja e mundshme e kartonit të Fabbian, që nga ana tjetër, do të ishte i lumtur të bënte një rikthim në qytetin e Milanos, ku dikur ka qenë pjesë e skuadrave zinxhir të Interit. Gjithësesi, shumë gjëra tek këto objektiva të Milanit do të varen nga largimi ose jo i Yunus Musah. Kuqezinjtë kërkojnë rreth 30 milionë euro për shërbimet e tij, por deri më tani, asnjë nga ofertat e paraqitura nuk e kanë arritur këtë shifër.