Serie A, Milan ka gati rinovimin e Pulisic; shihet si pikë kyçe bashkë me Reijnders e Gimenez

Sport

Në një sezon shumë larg pritshmërive dhe të mbushue me kritika e skepticizëm, një nga të vetmit në radhët e Milanit që mund të marrë një notë kaluese deri më tani është Christian Pulisic. Amerikani mund të konsiderohet edhe si lojtari më i mirë i këtij edicioni për kuqezinjtë, duke qenë protagonist me 15 gola e 9 asiste në të gjitha kompeticionet, ndërkohë që ka shfaqur grintë, dëshirë e përkushtim në çdo sekondë në fushën e blertë. Këto performanca nuk kanë kaluar pa u vënë re dhe lojtari duket pranë rinovimit të kontratës me Milanit. Klubi ka bërë hapa përpara për të zgjatur kontratën e Pulisic, i cili nga ana tjetër është shfaqur i lumtur e i gatshëm për të vijuar më tej bashkëpunimin me kuqezinjtë. Kontrata e re për Pulisic do të vlejë deri në qershorin e 2029-ës, duke shtuar me 2 vite kontratën aktuale të lojtarit. Ndërsa sa i përket pagës, nga 4 milionë, amerikani do të përfitojë 5 milionë euro në sezon, pa llogaritur këtu bonuset në rast të arrtijes së objektivave personale dhe ekipore. Që kur u bë pjesë e Milanit, Pulisic regjitstron 30 gola e 20 asiste në 88 ndeshje si kuqezi. Kjo e ka bërë që drejtuesit e klubit ta shohin si një pikë referimi për të ardhmen e projektit të Milanit, bashkë me emra si Santiago Gimenez, apo Tijjani Reijnders, me këtë të fundit që vetëm pak kohë më parë, konfirmoi po ashtu zgjatjen e kontratës së tij si lojtar i Milanit. Merkato e ardhshme verore do të jetë shumë e rëndësishme për qasjen që do të ketë klubi italian në sezonin e ardhshëm dhe në të gjithë objektivat e projektit të tyre, por duke siguruar emra të rëndësishëm në skuadër, si Pulisic apo Reijnders, detyra e dretjuesve mund të jetë më e lehtë.