Ardon Jashari do t’i kushtojë arkave të Milanit plot 36 milionë euro, pa llogaritur bonuset. Mesfushori zvicerian nuk mund të konsiderohet kurrësesi një blerje normale për financat e kuqezinjve, pasi kartoni i 23-vjeçarit është futur mes 10 transferimeve më të shtrenjta të Milanit. Rafael Leao mban vendin e parë, pasi bashkë me bonuset e paguara tek Lille, kartoni i portugezit ka kushtuar rreth 49 milionë euro. Pas tij vjen transferimi kontravers i Leonardo Bonucci-t, që Milanit asokohe i kushtoi 42 milionë euro. Prej kohësh, Manuel Rui Costa mbante vendin e parë në këtë aspekt. Blerja e fantazistit portugez në vitin 2001, i kushtonte arkave të Milanit më shumë se 41 milionë euro, një shifër shumë e lartë për kohën. Në vendin e katërt të blerjeve më të shtrenjta të Milanit qëndron braziliani Lucas Paqueta, i cili erdhi në ‘San Siro’ për 38,4 milionë euro. Diçka më pak u shpenzuan për sulmuesin Andre Silva apo për mbrojtësin italian, Mattia Caldara. Të dy këta të fundit, asnjëherë nuk ia dolën të kishin vërtet impakt me fanellën kuqezi. Madje Caldara, mbahet mend shumë pak, për të mos thënë aspak, me fanellën e Milanit. 37,5 milionë euro u shpenzuan për Charles De Ketelaere, i cili pavarësisht shkëlqimit që ka patur së fundmi tek Atalanta, tek Milani nuk ia doli të jepte asgjë nga ajo që pritej prej tij. Një blerje e suksesshme, por jo e lirë për kohën, ishte ajo e Filippo Inzaghi-t. Milani shpenzonte më shumë se 36 milionë euro për kartonin e ‘SuperPippo’-s në vitin 2001. Blerja më e fundit e kuqezinjve, Ardon Jashari, mban pikërisht vendin e nëntë, i ndjekur nga Fikayo Tomori, për të cilin Milani ka paguar diçka më tepër se 35 milionë euro.
