Edhe pse u mendua se nuk do të realizohej, tani ëndrra e Ardon Jasharit është realitet. Djaloshi 23-vjeçar është prezantuar si lojtari më i ri i Milanit, duke i dhënë fund edhe diskutimeve të stërzgjatura mes Club Brugge dhe klubit italian për tranferimin e tij. Pas prezantimit, ku Jashari zbuloi se do të mbajë fanellën me numër 30 në sezonin e ri, mesfushori që përfaqëson Zvicrën ka folur rreth hapave të parë të kësaj aventure. Duke qenë se e ka mbështetur Milanin si një tifoz që në moshë të vogël, për Jasharin kjo është një mundësi e shkëlqyer për të jetuar nga afër atë që dikur e shijonte nga shkallët e stadiumit apo televizorit. Fizikisht dhe mendërisht ndihet gati për të dhënë më të mirën, i vetdijshëm se tek Milani e pret një grup i ndërtuar me shumë kujdes dhe me lojtarë të fortë në të gjitha pozicionet. Lojtari zbuloi se që nga momenti kur në zyrat e Club Brugge, kartonin e tij e ka kërkuar Milani, për të nuk ka patur asnjë alternativë tjetër, duke konfirmuar në një farë mënyre që vullneti i vetë lojtarit ka luajtur një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e këtij transferimi. Pavarësisht interesimeve nga Anglia apo Gjermania, dëshira e Jasharit ishte vetëm të vishte fanellën e Milanit. Mes fjalive të tij të parë gjatë prezantimit, 23-vjeçari nuk kërkoi të vendoste objektiva personalë, por duke njohur historinë e klubit, është e qartë se të gjithë presin nga ai apo ekipi që të performojnë në maksimumin e tyre. Ndërkohë në një video 20-sekondëshe të përgatitur nga vetë klubi, Jashari zbuloi se di të komunikojë shumë mirë në gjuhën gjermane, angleze dhe në shqip. Prapa skenave, gazetarët e kanë pyetur se si ka komunikuar me drejtorin Igli Tare, duke konfirmuar se çdo gjë ka qenë shumë e lehtë mes tyre pikërisht në gjuhën shqipe. Ndërsa më vonë gjatë videos, Jashari përmendi Andrea Pirlo-n, si idhullin dhe modelin e tij.
