Serie A, Milan, Ibrahimovic thotë se i mungon fusha e blertë me kuqezinjtë

Sport

22 maji i këtij viti që po lëmë pas ishte dita që kurorëzoi Milanin si kampion të Italisë për të 19-ën herë në historinë e tyre. Po ashtu, ajo është edhe dita e fundit që kemi parë në fushën e blertë Zlatan Ibrahimovic. Sulmuesi suedez pritet të jetë gati për t’u vendosur nën urdhërat e trajnerit Stefano Pioli përgjatë 2023-shit. Ibra ka folur së fundmi për mediat italiane ku intervista është përqëndruar sigurisht tek rikthimi i tij apo planet e së ardhmes. Veterani u shpreh se ai vazhdon të ndjek me kujdes të gjithë protokollin e mjekëve për rikuperimin e tij dhe çdo ditë po ndihet akoma më mirë. Ibra mendon që të rikthehet në fushë që në muajin janar, edhe pse kjo do të varet nga rezultatet e analizave finale. Por 41-vjeçari e pranon se u mungon shumë fusha e blertë dhe ndeshjet me fanellën kuqezi. Ai beson se edhe skuadra ka nevojë herë pas herë për prezencën e tij në lojë, prandaj po përpiqet të bëjë më të mirën për t’u rikuperuar si duhet e sa më shpejt. Suedezi shtoi se gjatë këtyre muajve e ka patur të vështirë të gjejë diçka tjetër për të sfumuar dëshirën e madhe për t’u rikthyer në fushë, por është përpjekur të jetë gjithnjë pranë shokëve të ekipit, duke i ndjekur si në ndeshje, edhe në seancat stërvitore. Sa i përket objektivave të Milanit për sezonin aktual, Ibra thotë se kuqezinjtë duhet të synojnë gjithnjë të marrin maksimumin dhe se ai personalisht është nga ata persona që asnjëherë nuk kënaqet me arritjen e tij. Për këtë arsye, ai kërkon të rikuperohet sa më shpejt e të dëshmojë edhe njëherë se ka dëshirën e një djaloshi të ri për të regjistruar të tjera suksese historike.