Serie A, Milan, Ibra i nënshtrohet operacionit në gju; mungon të paktën 7 muaj

Sport

Tashmë me petkun e kampionit të Italisë, tek Milani nuk kanë ndërmend të ndalin festën për ‘Scudetto’-n e 19 në historinë e klubit. Kuqezinjtë vijojnë të jetë në mbërthyer nga emocionet e forta të asaj që realizuan përgjatë këtij sezoni, mirëpo tani është momenti të bëhen llogaritë edhe me pasojat e sakrificat e bëra për të mbërritur tek titulli.

Zlatan Ibrahimovic, i cili prej javësh luante me gjurin e dëmtuar, tashmë është dorëzuar dhe i është nënshtruar një operacioni. 40-vjeçari thuhet se për t’u rikuperuar plotësisht, do të ketë nevojë për të paktën 7 muaj, çfarë mund të bëjë që suedezi të humbasë pjesën e parë të sezonit të ardhshëm, në rast se do të konfirmohet si lojtar i Milanit. Ibra u operua nën kujdesin e disa prej kirurgëve më të mirë sportiv, në Lion të Francës, me objektivin për t’u rikthyer pas pushimit nga ‘Kupa e Botës’. Tek Milani janë të gatshëm t’i ofrojnë edhe 1 vit tjetër kontratë, me pagë 2,5 milionë euro, duke ditur rëndësinë e prezencës së tij në dhomat e zhveshjes.

Nuk përjashtohet mundësia që kontrata e propozuar për sulmuesin, të vlerësohet në bazë të prezencave që ai do të bëjë përgjatë sezonit të ardhshëm, por gjithësesi, gjetja e një marrëveshjeje mes palëve nuk duket se përbën problem. Vetë Ibra duket i prirur për të vijuar edhe një sezon tjetër me futbollin e luajtur, ndonëse për të marrë një vendim final, ka kërkuar edhe pak kohë. Në këtë sezon, veterani suedez zhvilloi 27 ndeshje me fanellën e Milanit, mes kampionatit italian dhe ‘Champions League’-ës, duke realizuar 8 gola e 3 asiste.