Serie A, Milan humbet Maignan deri në vitin e ardhshëm; tek Franca shpresojnë ende

Sport

Milani do të luajë pa Mike Maignan për pjesën e mbetur të këtij viti. Portieri francez ka pësuar një tjetër dëmtim, këtë herë më të rëndë se sa ai i para dy javëve dhe sipas asaj që raportojnë burimet pranë klubit kuqezi, gardiani nuk do të ketë mundësinë të japë ndihmën e tij për skuadrën deri në 2023-shin. Në përpjekjet për të bërë një rikthim sa më të shpejtë në fushën e blertë, Maignan duket se ka komplikuar edhe më tej dëmtimin e tij. Tek Milani kanë reaguar me një deklaratë ku thuhet se pas 10 ditësh, Maignan do të bëjë disa teste të reja rreth gjendjes së tij, por gjasat janë që rikthimi me kampionët e Italisë të ndodhë vetëm në vitin e ardhshëm. Nga ana tjetër, tek kombëtarja franceze dukt se shpresojnë se 27-vjeçari mund të jetë i gatshëm për botërorin e Katarit. Deschamps për momentin e ka në planet e tij portierin e Milanit, por vendimi final do të merret vetëm pasi të bëhet edhe testet e tjera për të parë ecurinë e rikuperimit të tij. Kështu, Milani humbet një nga pikat më të forta në një moment mjaft delikat të sezonit. Kuqezinjtë do të luajnë fatin e tyre në ‘Champions League’ ndaj Dinamos së Zagrebit dhe Salzburgut, ndërkohë që në kampionat duhet të ruajnë ritmin e rivalëve për të ruajtur distancat me kreun. Me mungesën e Maignan, tani përgjegjësia për portën do t’i kalojë veteranit Tatarusanu, i cili ndonëse nuk mund të ketë të njëjtin kontribut në lojë si Maignan, mund të kthehet në një protagonist për ekipin e trajnerit Pioli. Me Tatarusanu-n në moshën 36-vjeçare, alternativa për portën e kampionëve të Italisë janë Antonio Mirante, një tjetër veteran dhe Andreas Jungdal, 20-vjeçari i formuar në akademinë e klubit.