Serie A, Milan humbet Bennacer për 6 muaj; mesfushori operohet në gju

Sport

Ismael Bennacer është një nga humbjet e mëdha të trajnerit të Milanit, Stefano Pioli, në këtë fund të sezonit. Algjeriani pësoi një dëmtim të rëndë në gju në ‘EuroDerbin’ e parë dhe nga ajo që mediat italiane raportojnë, koha për rikuperimin e tij do të jetë edhe më e gjatë se sa mendohej. Bennacer i është nënshtruar operacionit në gju dhe mjekët kanë paralajmëruar klubin e Milanit se për rikthimin në fushë të lojtarit, duhet të presin të paktën 6 muaj. Kështu, mesfushori jo vetëm që ka mbyllur sezonin aktual, por rrezikon të humbasë edhe nisjen e sezonit të ardhshëm me kuqezinjtë, që duhet të bëjnë llogaritë pa një nga elementët më të rëndësishëm të trajnerit Pioli. Ky lloj dëmtimi në kampin e Milanit është hasur edhe në 2018-ën, kur Jack Bonaventura qëndroi asokohe për 8 muaj jashtë fushave. Edhe Bennacer është operuar nga i njëjti staf mjekësh, që e kanë bërë të sigurt mungesën e algjerinait për 6 muajt e ardhshëm. Kështu, për Maldini-n e Massara-n del një tjetër detyrë, për të gjetur një emër në merkaton e verës që të zëvendësojë Bennacer, deri kur algjeriani të kthehet, e për më tepër, trajneri të ketë një alternativë të rëndësishme përgjatë gjithë sezonit të ardhshëm sa i përket rotacionit në formacion. Duke qenë se rikthimi i Bennacer në fushë si titulluar mund të ndodhë vetëm në 2024-ën, atëherë edhe emri që do të afrohet në merkato duhet të jetë i konfirmuar, në mënyrë që të mos përsëriten të njëjtat gabime si në rastin e Kessie, i cili nuk u zëvendësua si duhet e Pioli u detyra të përshtaste formacionin në një mënyrë tjetër.