Numërimi mbrapsht për derbin e Madoninës tashmë ka nisur dhe të gjithë bëhen gati për një përballje të fortë mes dy skuadrave më në formë të momentit në Itali. Trajnerët kanë patur kohë të mjaftueshme për të përgatitur si duhet ndeshjen, edhe pse mund të detyrohen të bëjnë llogaritë edhe me ndonjë dëmtim të mundshëm. Tek Milani, ishte dëmtimi i Olivier Giroud, që shqetësoi Piolin dhe të gjithë popullin kuqezi. Sulmuesi veteran pësoi një tërheqje të lehtë muskulore në radhët e përfaqësueses së Francës, por nga ajo që raportojnë së fundmi mediat, nuk ka vend për panik. Giroud mesa duket do të jetë në fushë në ndeshjen kundër Interit, njësoj si edhe bashkëkombasi i tij, Theo Hernandez. Edhe ky ndjeu dhimbje në pulpë në stërvitjet e fundit me Francën, por vetë lojtari e ka bërë të qartë për Milanin se do të jetë gati për të luajtur derbin. Theo dhe Giroud mbeten dy nga elementët kyç të skemave të teknikut Stefano Pioli, prandaj konfirmimi për prezencën e tyre, sjell qetësi në radhët e kuqezinjve. Nga ana tjetër, në mungesë të Tomorit, i cili u ndëshkua me karton të kuq, pas dy të vërdhëve ndaj Romës, në fushë ndaj Interit supozohej të ishte Kalulu, në krah të Thiaë. Por i riu francez ka pësuar po ashtu një dëmtim dhe gjasat që të rikuperohet në kohë janë të vogla. Kështu, fanella e titullarit mund t’i shkojë Simon Kjaer. Ky i fundit ka qenë i angazhuar me kombëtaren e Danimarkës, por Pioli nuk e sheh si zgjedhjen e parë në këtë sezon të ri në ‘Serie A’. Pjesa tjetër e skuadrës duket gati për një nga mbrëmjet më të magjishme të futbollit italian e jo vetëm. Leao, Maignan. Reijnders, Pulisic e Chukëueze kanë vijuar me paraqitjet e mira edhe në përfaqësueset e tyre, duke premtuar shumë për Milanin, në një takim që do të vendosë kreun në fund të javës së katërt të kampionatit.