Serie A, Milan, Gimenez qëndron te kuqezinjtë; e konfirmon edhe agjenti

Sport

Santiago Gimenez ka qenë një nga emrat më të përfolur së fundmi në kampin e Milanit. Sulmuesi meksikan nuk gëzon më të njëjtën mbështetje si më parë nga ana e drejtuesve, ndërkohë që edhe tifozëve duket se u është zbehur entuziasmi për të. Kjo ishte, të paktën, ajo që raportohej në mediat italiane prej ditësh, që shkonin më tej duke thënë se Milani është gati ta shesë Gimenez. Megjithatë, për të shuar të gjithë këto zëra, kanë menduar përfaqësuesit e lojtarit, me në krye agjenten Rafaela Pimenta. Mundësia e largimit të Gimenez nga Milani për momentin është hedhur poshtë, pasi jo vetëm që Gimenez është i lumtur në Milano, por ndryshe nga ajo që thuhet në media, ai ka besimin dhe mbështetjen e plotë të klubit. Edhe nëse në skuadër do të mbërrijë një tjetër sulmues, gjasat të cilat janë të mëdha, Gimenez do të vijojë të jetë pjesë e Milanit, me synimin për të gjetur formën e tij më të mirë, e për t’u shndërruar pse jo në pikën e referimit për trajnerin Massimiliano Allegri, sa i përket fazës së sulmit. Milani shpenzoi në janarin e kaluar rreth 32 milionë euro për të transferuar Santiago Gimenez nga Feyenoord. Pritshmëritë ndaj 24-vjeçarit mbeten ende të larta dhe vetë meksikani kërkon të provojë vlerat e tij në sulmin kuqezi. Që nga momenti i transferimit të tij në Itali, Gimenez numëron 21 ndeshje me fanellën e Milanit, ku një pjesë të mirë të tyre i ka nisur nga stoli. Ai ia ka dalë të shënojë 6 gola e të shërbejë 4 asiste, ndërkohë që në këtë sezon të ri, synon të jetë golashënuesi më i mirë për kuqezinjtë.