Tek Milani kanë nisur prej kohësh punën për sezonin e ardhshëm, ku përzgjedhja e një drejtori të ri sportiv mbetet detyra më e rëndësishme e drejtuesve të klubit. Nga ajo që raportohet nga mediat italiane, Igli Tare vijon të jetë në ‘pole-position’ për të marrë detyrën, teksa është konfirmuar se do të ketë edhe një takim të dytë mes ish-sulmuesit shqiptar dhe Giorgio Furlani-t, për të avancuar në gjetjen e një marrëveshjeje. Se kur do të ndodhë ky takim i dytë, ende nuk ka asgjë të konfirmuar, pasi ka edhe burime pranë klubit që shprehen se alternativat e tjera ende nuk janë përjashtuar. Por koha nuk është në favor të kuqezinjve, që shpresojnë ta kenë mbyllur këtë çështje deri ne mesin e muajit maj. Kështu, Tare duket të jetë zgjedhja më e logjikshme në kushte të tilla, pasi puna për sezonin e ri duhet të nisë sa më shpejt.
Sergio Conceicao mendohet se do të largohet nga drejtimi i skuadrës në fund të këtij edicioni dhe çështja e trajnerit do të krijojë një tjetër situatë delikate. Pak ditë më parë, në një intervistë ekskluzive të dhënë në Tring, Tare shprehu pëlqimin e tij për teknikë si Antonio Conte dhe Massimiliano Allegri, që mund të shihen si alternativa nga ana e klubit kuqezi. Ndërsa sa i përket merkatos së lojtarëve, gjërat do të qartësohen vetëm pas zyrtarizimit të drejtorit të ri sportiv dhe të atij që do të drejtojë ekipin nga pankina në sezonin e ardhshëm. Gjithësesi, mediat italiane provojnë të zbulojnë ndonjë emër që mund të merret në konsideratë gjatë verës dhe një prej tyre është ai i Jonathan Burkardt. 24-vjeçari është aktualisht pjesë e skuadrës së Mainz, ku në 26 ndeshje të zhvilluara, numëron 16 gola e 3 asiste.