E ardhmja e Sergej Milinkovic-Savic duket se do të jetë tek Lazio. Të paktën edhe për sezonin 2022/23, gjasat janë që mesfushori serb të vijojë të mbajë veshur fanellën e kaltër, sipas asaj që ka deklaruar vetë agjenti i tij, Mateja Kezman. Kur kanë mbetur edhe pak nga fundi i kësaj merkatoje verore, duket e vështirë që ndonjë klub të bëjë një ofertë të pranueshme për Milinkovic-Savic. Milani dhe Juventusi e kanë ndjekur prej kohësh 27-vjeçarin, por asnjëherë nuk kanë bërë një ofertë konkrete për të, për shkak të pretendimeve të presidentit të Lazio-s, Claudio Lotito. Edhe vetë agjenti i lojtari konfirmoi se kampionët e Italisë e kanë patur si objektiv për përforcimin e tyre, njësoj si edhe torinezët, por kartoni i Milinkovic është shumë i shtrënjtë për t’u përballuar nga ana e tyre.
Kërkesat e Lotitos janë kthyer në një problem për të gjetur një skuadër tjetër për klientin e tij, prandaj agjenti Kezman thotë se kryeqytetasit duhet të jenë me këmbë në tokë në atë se çfarë pretendojnë. Sipas tij, Milinkovic-Savic ka treguar se ka potencialin e një lojtari që vlen 100 milionë euro, por Lazio nuk është një klub që ka fituar trofe të mëdhenj, apo që luan rregullisht në ‘Champions League’, e për këtë arsye, nuk duhet të pretendojë aq shumë për mesfushorin serb. Lojtari ka një kontratë që e mban të lidhur me Lazio-n deri në qershorin e 2024-ës dhe nga ajo që foli agjenti i tij, rinovimi për momentin nuk shihet si mundësi. Lazio po përpiqet ta zgjasë kontratën e Milinkovic-Savic dhe për këtë janë gati ta bëjnë lojtarin më të paguar të skuadrës, por serbi dëshiron ta vazhdojë diku tjetër karrierën e tij. Nëse një transferim i tij tek skuadra si Milani apo Juventusi, që gjithnjë kanë shfaqur interes për të nuk ka ndodhur gjatë kësaj vere, atëherë mund të bëhet realitet vitin tjetër, me Lazio-n që kurrësesi nuk mund të pranojë ta humbasë me parametra zero në 2024-ën.