Pas spekulimeve të shumta se Milani është duke punuar për të emëruar një drejtor sportiv, gjërat duket se po shkojnë në drejtimin e Fabio Paratici-t. I aluduar javë më parë, së bashku me Igli Taren si emrat e mundshëm për të marrë këtë post të rëndësishëm tek klubi kuqezi, shanset janë që këtë rol ta marrë ish-drejtori i Juventusit. Burime pranë klubit italian bëjnë me dije se Paratici ka qenë një nga preferencat e Giorgio Furlani-t, i cili thuhet se ka programuar disa takime me Paratici-n, pikërisht për të bërë sa më shpejt realitet rikthimin e tij në Itali. Aktualisht, Paratici është i pezulluar nga detyra e tij si drejtori sportiv për shkak të dënimit të marrë në përfshirjen e tij në çështjet e bilanceve të Juventusit, që solli asokohe edhe në largimin e Agnelli-t nga kryesia e klubit. Por ndryshe nga ky i fundit, pezullimi i Paratici-t skadon në qershor dhe ai gjatë verës do të jetë gati për t’u rikthyer në detyrë, ku një projekt i ri si Milani, ku do të ketë në dorë të bëjë shumë ndryshime, e josh jo pak. Edhe pse i pezulluar, Paratici vazhdon të jetë nën kontratë me Tottenham në Londër. Një nga çështjet që Furlani duhet të zgjidhë është edhe ndërprerja e hershme e kontratës se Paratici-t me klubin londinez, në mënyrë që 52-vjeçari nga Piacenza të nisë sa më shpejt detyrën si konsulent i jashtëm tek Milani, përpara se të marrë plotësisht gjërat nën kontroll si drejtor sportiv. Tek klubi kuqezi shpresojnë që kjo çështje të jetë zgjidhur brenda mesit të muajit prill, por nga ana tjetër, tek Milani po mbajnë kontakte edhe me kandidatë të tjerë, për t’i paraprirë çdo surprize të mundshme, megjithëse tani është e konfirmuar se zgjedhja e preferuar për ta, do të ishte Fabio Paratici.
