Serie A, Milan dhe Inter nuk luajnë vetëm për titullin, por edhe për vazon e parë në UCL

Sport

Lufta për titullin kampion në ‘Serie A’ duket se ka arritur në kulmin e saj, me dy skuadrat e Milanos që mund të vendosin vendin e parë të renditjes vetëm në javën e fundit. Por veç ‘Scudetto’-s, Milan dhe Inter kanë edhe një tjetër arsye të fortë për të siguruar vendin e parë. Klubet kanë filluar të bëjnë llogaritë edhe për sezonin e ardhshëm, ku do të kërkojnë të shmangin një grup të fortë në ‘UEFA Champions League’. Këtë sezon, Milani listohej në vazon e katërt dhe shorti e vendosu në grupin më të vështirë të këtij edicioni, me Liverpool, Atl.Madrid e Porto.

Ekipi që do të shpallet kampion i Italisë për 2021/22-shin, do të renditet në vazon e parë të UEFA-s, çfarë në letër, i rrit mundësitë e një grupi më të lehtë në sezonin e ardhshëm të ‘Champions League’. Nëse Inter do ta mbyllë në vendin e dytë ‘Serie A’, atëherë zikaltërit do të vendosen në vazon e tretë në hedhjen e shortit për grupe në sezonin e ardhshëm të ‘Champions League’-ës.

Në rast se do të jetë Milani që do të renditet në vendin e dytë, kuqezinjtë rrezikojnë të përfundojnë në vazon e tretë, ose edhe në të katërtën, që mund të komplikonte sërish rrugëtimin e tyre. Për këtë arsye, lufta për vendin e parë në ‘Serie A’ mes Milanit dhe Interit merr nota të tjera, duke kuptuar situatën e renditjes në vazot e UEFA-s.

Në Itali, veç Milanit dhe Interit, kanë siguruar kualifikimin për në kompeticionin më të rëndësishëm për klube edhe Napoli e Juventus. Bardhezinjtë e Massimiliano Allegri-t e kanë të sigurtë prezencën në vazon e dytë, për shkak të renditjes historike në dekadën e fundit në kompeticionet europiane, ndërkohë që Napoli, ka të garantuar një biletë në vazon e tretë.