‘UEFA’ ka konfirmuar në javët e fundit se kanë nisur hetimet për disa prej klubeve të mëdha të Italisë, sa i përket respektimit të ‘Fair-Play’ financiar përgjatë 2 viteve të fundit. Një prej skuadrave që po hetohet edhe Milani, që sezone më parë, mori një dënim shembullor, duke u përjashtuar nga kompeticionet europiane. Kuqezinjtë kërkojnë të shmangin sanksione të reja dhe për këtë, administratori Ivan Gazidis është nisur drejt Nyon-it, për të patur një takim ‘kokë më kokë’ me përfaqësuesit e ‘UEFA’-s. Bashkë me Gazidis është edhe Giorgio Furlani, menaxher dhe njeri i besuar u ‘Fondit Elliot’, që janë edhe pronarët e klubit milanez. Edhe pse institucioni më i rëndësishëm i futbollit europian ka deklaruar se fakti që skuadrat janë nën hetim, jo domosdoshmërisht do të thotë se ka shkelje, tek Milani kërkojnë të qartësojnë me detaje çdo gjë, në mënyrë që të shmagin çdo sanksion të mundshëm, siç mund të jenë gjobat. Kujtojmë që në 2019-ën erdhi vendimi i ‘UEFA’-s për të përjashtuar Milanin nga kompeticionet europiane, për shkak të parregullsive nga viti 2014, në 2017-ën. Kjo ishte hera e parë që një klub me emër të merrte një dënim të tillë dhe tani kuqezinjtë nuk duan të kenë të bëjnë fare me sanksionet e ‘UEFA’-s. Hetimi i fundit ka nisur sa i përket humbjeve të deklaruara nga klubi gjatë 2 viteve të fundit. Pronarët e rinj të Milanit kanë bërë një punë të mirë duke ulur borxhin financiar nga 194 milionë euro në verën e 2020-ës, në 96 milionë euro në 2021-shin, duke marrë këtu në konsideratë edhe problemet për të rritur fitimet për shkak të pandemisë së ‘Covid-19’. Ndërsa sa i përket këtij sezoni, Milani parashikohet të deklarojë një humbje që nuk i kalon 40 milionë eurot, duke kaluar fare pak limitin e vendosur nga ‘UEFA’. Kuqezinjtë janë besimplotë se do të gjejnë mirëkuptimin me përfaqësuesit e futbollit europian dhe prezenca e Gazidis në Nyon, dëshmon se tek ‘Elliot’ nuk duan të kenë sërish probleme si në të kaluarën.