Serie A, Milan, Dëmtimi i Maignan nuk është serioz, por këto ndalesa të tij shqetësojnë kuqezinjtë

Sport

Milani nuk shkoi më shumë se sa një barazim pa gola në debutimin sezonal në ‘Champions League’ ndaj Newcastle. Edhe pse ekipi i Piolit dominoi në pjesën më të madhe të lojës, nuk ia dolën të realizonin. Megjithatë, vëmendje të madhe në lidhje me episodet të kësaj sfide mori edhe dëmtimi i portierit Mike Maignan. Në minutën e 80, Maignan shtrihet në tokë dhe kërkon zëvendësim, duke krijuar jo pak panik tek trajneri Pioli dhe populli kuqezi.

Francezi i është nënshtruar disa analizave në lidhje me dëmtimin e tij, pasi bëhet fjalë për një shtrëngim të muskujve në kofshën e majtë të portierit. Sipas analizave paraprake, nuk bëhet fjalë për një dëmtim serioz, ndonëse 28-vjeçari e ka të garantuar mungesën e tij për sfidën ndaj Veronas, për javën e pestë të ‘Serie A’. Mjekët u kanë komunikuar drejtuesve të Milanit se Maignan është me fat që vendosi të ndalej menjëherë sapo ka filluar të ndjejë dhimbje, pasi nëse do të kishte ‘shtrënguar dhëmbët’ për të qëndruar në fushë, tani do të përballej me një problem më serioz, që do të përkthehej edhe në një mungesë më të gjatë në fushë. Nga ajo që flitet brenda ambjenteve të Milanit, gjasat janë që veç Veronës, Maignan të humbasë edhe përballjen ndaj Cagliari-t, po në kampionat, për t’u rikthyer në shërbimet e trajneri Pioli në 30 shtator, kur 7 herë kampionët e Europës do të kenë një ndeshje të komplikuar kundër Lazio-s.

Kjo ndalesë e Maignan ka shqetësuar jo pak drejtuesit e klubit dhe tifozët kuqezi. Edhe në sezonet e kaluara, Maignan ka patur disa ndalesa për arsye dëmtimi, në disa raste edhe për një kohë të gjatë, aq sa i ka kushtuar ekipit në rezultatet e marra në takime të rëndësishme. Problemet e vazhdueshme fizike të Maignan do kthehen në një çështje që do të flitet mes trajnerit dhe drejtuesve, pavarësisht se portieri francez konsiderohet si ndër elementët më të rëndësishëm të këtij Milani.