Serie A, Milan, Chukwueze kërkohet me ngulm; ka interes edhe për Savic të Lazio-s

Sport

Pas largimit të Ibrahimovic, Maldini e Massara, tek Milani kanë nisur punën në merkato për përforcimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Kuqezinjtë po ndjekin disa emra, që kryesisht konsistojnë në talente të reja, mirëpo nuk mungojnë as objektivat madhorë. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Sergej Milinkovic-Savic dhe Samuel Chukwueze janë dy nga dëshirat e mëdha të Pioli-t. Mesfushorit serb i skadon kontrata me Lazio-n në qershorin e ardhshëm dhe lojtari e ka bërë të qartë se nuk do të ketë rinovim të kontratës së tij. Për shërbimet e 28-vjeçarit interesohen edhe shumë skuadra të tjera, por tek Milani janë besimplotë se mund të gjejnë një marrëveshje me Lazio-n dhe vetë lojtarin, dëshira e të cilit do të luajë një rol mjaft të rëndësishëm në vendimin final. Kjo nuk është hera e parë që Milani kërkon të firmosë me Milinkovic-Savic, po kërkesat e larta të presidentit të Lazio-s, Claudio Lotito, kanë bërë që kuqezinjtë, e jo vetëm, të tërhiqen nga mundësia për të firmosur me serbin. Tani situata është shumë më ndryshe dhe milanezët kërkojnë të shfrytëzojnë njohjen që trajneri Pioli ka me Milinkovic.

Sa i përket sulmit, Samuel Chukwueze mbetet një objektiv i rëndësishëm, si një profil që do të mbyllte një nga prolemet e mëdha të kuqezinjve, krahun e djathtë. 24-vjeçari nigerian ka bërë paraqitje mjaft të mira në radhët e Villarreal, duke e mbyllur sezonin që lamë pas me 13 gola e 11 asiste në të gjitha kompeticionet. Njësoj si në rastin e Milinkovic-Savic, edhe Chukwueze-s i skadon kontrata në qershorin e vitit të ardhshëm dhe tek Milani kërkojnë të përfitojnë, për të firmosur me të për një çmim mjaft të arsyeshëm. Tek Villarreal po bëjnë rezistencë, me shpresën për të patur një ankand për shërbimet e nigerianit, pasi nuk është vetëm Milani që ka marrë informacione rreth tij.