Samuel Chukwueze ishte objektivi kryesor i Milanit në këtë merkato verore dhe drejtuesit e kuqezinjve ia kanë dalë mbanë të gjejnë një marrëveshje me Villarreal-in, ndonëse nuk ka qenë një mision i lehtë. Lojtari u shfaq mjaft i lumtur sapo ka zbarkuar në Milano, ku është pritur nga dhjetëra tifozë, që duket se kanë luajtur një rol të rëndësishëm në transferimin e tij tek 7 herë kampionët e Italisë. 24-vjeçari foli për herë të parë si lojtar i kuqezinjve, duke zbuluar edhe arsyen se pse vendosi të vinte tek Milani, kur për të kishin shfaqur interes dhe skuadra të tjera. Chukwueze u shpreh se është befasuar nga dedikimet e panumërta të tifozëve të Milanit, që i shkruanin kudo nëpër rrjetet sociale, duke i kërkuar të pranonte ofertën e kuqezinjve. Nigeriani u shpreh se është ndjerë mjaft i vlerësuar dhe ka kuptuar besimin e madh që kanë tifozët e klubi tek aftësitë e tij, që në momentin e parë që i është komunikuar interesimin i Milanit për të. Po ashtu, sulmuesi tregoi se ka biseduar me një nga miqtë e tij më të mirë në përfaqësuese, Victor Osimhen. Edhe ylli i Napolit e ka shtyrë Chukwueze-n të pranojë ofertën e Milanit, duke i përshkruar kuqezinjtë si një klub model dhe me një tifozeri të jashtëzakonshme. Është e qartë se 24-vjeçarin e pret një vend në formacionin titullar në krahun e djathtë të sulmit dhe ai zbulon se ka folur edhe me Pioli-n për gjithçka që trajnerit kërkon prej tij, me synimin për të ndihmuar sa më mirë shokët e skuadrës. Gjatë intervistës, Chukwueze u shpreh se tek kuqezinjtë, ka parë Ricardo Kaka’ si një idhull, me golin ndaj Manchester United që e liston si më të bukurin që ka parë. Për të, Kaka’ ishte një lojtar i kompletuar dhe ai do të punojë për të përmirësuar sa më shumë edhe në ato që shihen si pikat e tij më të dobëta, duke u frymëzuar nga puna që bënte dikur braziliani. Nuk mund të mungonin fjalët falenderuese për Villarreal-in, aty ku Chukwueze kaloi plot 6 vite, që nga skuadra e të rinjve. Ai shtoi se do të jetë mirënjohës për çdo gjë që mësoi tek klubi spanjoll, që padyshim i kanë dhënë shansin e madh për të ndjekur ëndrrën e tij.