Serie A, Milan, Cardinale do të jetë në stadium për derbin; zbulon përshtypjet e para për Milanin e ri

Sport

Ndryshe nga ajo që pamë në sezonin e shkuar, këtë vit futbollistik, Gerry Cardinale po i qëndron gjithnjë e më pranë skuadrës së Milanit. Numri 1 i ‘RedBird’, që zotëron edhe pronësinë e klubit italian, është parë në shkallët e stadiumit në ndeshjen e parë të këtij sezoni, teksa nuk ka munguar edhe në disa takime të rëndësishme të drejtuesve të 7 herë kampionëve të Europës. Edhe në derbin ndaj Interit, Cardinale pritet të jetë në shkallët e stadiumit ‘San Siro’, krah emrave të tjerë të mëdhenj të kuqezinjve. Amerikani nuk u ka shpëtuar dot mediave italiane, për të cilat ka bërë edhe një prononcim të shkurtër rreth përshtypjeve të para për Milanin e ri. Cardinale shfaqet mjaft i kënaqur me ekipin e vendosur në dispozicion të trajnerit Stefano Pioli, pasi në krahasim me sezonin e shkuar, sheh një skuadër më të fortë fizikisht, më të shpejtë dhe me europiane në stilin e lojës. Të paktën kjo është ajo që ka dalluar numri 1 i ‘RedBird’ në ndeshjet e para të ‘Serie A’, teksa falenderoi edhe njëherë tifozët kuqezi për mbështetjen e pamunguar të tyre hap pas hapi. Cardinale shtoi se futbolli italian e ka mundësinë të bëjë hapa të rëndësishëm drejt zhvillimit, për të ulur distancat me kampionatet e tjerë të rëndësishëm, si ‘Premier League’-a angleze. Këtu, nuk flitet vetëm për aspektin sportiv, por edhe atë financiar, edhe pse sipas tij do të duhet kohë derisa gjërat të vendosen në rrugën e duhur. Ai kërkon të japë kontributin e tij në këtë aspekt dhe mendon se me njerëzit e duhur pranë vetes, mund të arrijnë të realizojnë gjërat të mëdha, që mund të merren më vonë edhe si shembull nga ana e klubeve të tjera. Në fund të intervistës së tij të shkurtër, Cardinale e mori me të qeshur pyetjen rreth mënyrës së famshme ‘moneyball’ sa i përket përzgjedhjes së lojtarëve në merkato. Numri 1 i Milanit u përgjigj me të qeshur se kjo është vetëm një nga mënyrat e shumta me të cilat punohet, por janë një sërë faktorësh e njerëzish që e bëjnë të mundur realizimin e objektivave edhe në çështjen e transferimeve të lojtarëve.