Telashet tek Milani nuk kanë të ndalur. Përpos krizës së pashpjegueshme në të cilën gjendet kuqezinjtë, Pioli tani duhet të gjejë një zgjidhje edhe dëmtimet e atyre pak lojtarëve që ndoshta mund t’i shpëtojnë sadopak kritikave. Ismael Bennacer ka pësuar një dëmtim muskulor dhe sipas mediave italiane, rrezikon të mungojë në ndeshjen e radhës në kampionat, që përkon me derbin ndaj Interit. Janari i 2023-shit mund të konsiderohet si muaji më negativ i historisë së kampionëve në fuqi të Italisë, por situata do të jetë e vështirë të përmirsohet, duke parë kalendarin e sfidave në shkurt. Tani Pioli duhet të bëjë llogaritë edhe me një tjetër mungesë të rëndësishme si ajo e Bennacer, që i bashkëngjitet emrave të Tomori-t, Maignan e të tjerëve. Në një pozitë të tillë, Pioli mund të mendojë seriozisht edhe një ndryshim të rreshtimit taktik të skuadrës, duke qenë se Bennacer është një element kyç për skemat e tij, sidomos në fazën mbrojtëse. Mesfushori algjerian nuk luajti as në humbjen turpëruese ndaj Sassuolo-s, pasi mungonte për arsye të plotësimit të numrit të kartonave të verdhë, ndërkohë që dëmtimin e ka marrë gjatë një seance stërvitore. Ndaj Interit, Pioli duhet të provojë të rikthejë ‘në binarë’ skuadrën, që me paraqitjet e bëra në 3 javët e fundit, rrezikon seriozisht edhe vendin në ‘Champions League’ sezonin e ardhshëm, diçka që as nuk vihej në diskutim deri në fillim të vitit 2023. Në derbi mund të provohet një rreshtim 4-3-3, me Tonali-Krunic-Pobega që do të formonin mesfushën, por trajneri 57-vjeçar po shqyrton edhe mundësinë për t’i dhënë një fanellë titullari të riut Aster Vranckx.