Pas siguroi firmën me Ruben Loftus-Cheek, Milani kërkon të rrëmbejë një tjetër lojtar nga skuadra e Chelsea, duke shfrytëzuar nevojën e klubit londinez për të bërë sa më shumë shitje gjatë kësaj vere. Christian Pulisic është profili i duhur për kuqezinjtë sa i përket krahut të djathtë, por në fakt trajneri Pioli e kërkon në organikën e ekipit edhe për shkak se amerikani me pasaportë kroate, mund të luajë edhe në pozicione të tjera në sulm apo mesfushë. Në bazë të asaj që kanë raportuar së fundmi mediat angleze, Milani ka bërë ofertën e parë zyrtare në drejtim të Chelsea-t për kartonin e 24-vjeçarit. 7 herë kampionët e Europës janë të gatshëm të paguajnë 14 milionë euro për të bërë një tjetër transferim në aksin Londër-Milano, mirëpo ky propozim qëndron shumë larg kërkesave të drejtuesve të Chelsea-t. ‘Blutë’ e Londrës pretendojnë të paktën 25 milionë euro për lojtarin e tyre, ndonëse Pulisic i ka mbetur vetëm një vit kontratë në Angli. Milani kërkon të shfrytëzojë këtë fakt për ta detyruar Chelsea-n të ulë pretendimet, por në anën tjetër, duket e vështirë që një gjë e tillë të ndodhë, duke parë faktin se për 24-vjeçarin interesohet edhe shumë skuadra të tjera, që janë gati të plotësojnë kërkesat financiare për kartonin e tij. Vetë Pulisic ka shfaqur qartë vullnetin për t’u bashkuar me Milanin, pasi i janë garantuar minutat gjatë sezonit të ardhshëm. Lojtari ka gjetur prej kohësh një akord paraprak me kuqezinjtë, ku është rënë dakord kohëzgjatjen, pagën dhe bonuset që Pulisic do të përfitonte si lojtar i klubit italian, prandaj përfaqësuesit e tij po shtyjnë drejtuesit e Chelsea-t të ulin pretendimet e tyre e të gjejnë një marrëveshje të kënaqshme. Milani në anën tjetër mund të shtojë disa bonuse në oferten e tyre, por asgjë më tepër, pasi drejtuesit e kuqezinjve kërkojnë të kursejnë para, që supozohet të investohen tek një objektiv i hershëm i kësaj merkatoje, Samuel Chukwueze. Villarreal vazhdon të kërkojë 30 milionë euro për sulmuesin, ndërkohë që tek Milani, duhet të fillimisht të avancojnë me shitjet.