Milani bëri një nisje mjaft të mirë të sezonit të ri, teksa triumfoi në ndeshjen hapëse të kampionatit italian 4-2 ndaj Udinese-s. E nëse rezultatet në fushën e blertë mbajnë tifozët kuqezi të karikuar, merkatoja për momentin nuk është në nivelet që pritej. Pavarësisht mbërritjes së Charles De Ketelaere, trajneri Pioli dhe tifozët presin edhe afrimin e një mesfushori, që të marrë vendin e të larguarit Franck Kessie. Siç raportojnë mediat italiane, Milani ka bërë ofertën e parë zyrtare për Raphael Onyedika, talentin 21-vjeçar të Midtjylland. Kampionët e Italisë janë gati të paguajnë 4 milionë euro për kartonin e lojtarit, pa llogaritur këtu bonuset, mirëpo gjasat janë që ky propozim të kthehet prapa. Drejtuesit e klubit danez nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga shërbimet e mesfushorit nigerian, pa u paguar vlera prej 7 milionë eurosh të kartonit të tij. Tratativat për momentin po vijojnë me ritëm të lartë, pasi Maldini e Massara kërkojnë ta vendosin lojtarin në dispozicion të trajnerit Pioli sa më shpejt të jetë e mundur. Në të njëjtën kohë vijojnë bisedimet edhe me agjentin e mbrojtësit Evan N’Dicka, i cili kërkon që lojtari të përfundojë kontratën tek Eintracht Frankfurt e më pas të largohet me parametra zero.
Sa i përket çështjes së rinovimeve, pas Fikayo Tomori-t, radhën duket se e ka mbrojtësi francez, Pierre Kalulu. Palët thuhet se kanë një akord verbal mes tyre dhe rinovimi i lojtarit do të vijë edhe më një rritje të ndjeshme të pagës së tij. Marrëveshja e re supozohet të skadojë në qershorin e 2026-ës, ndërkohë që ende nuk është zbuluar nëse në të është përfshirë ndonjë klauzolë largimi ose jo.