Skuadra e Milanit është zhvendosur në Singapor, ku do të zhvillojë turneun veror, si një fazë përgatitore për sezonin e ri. Kuqezinjtë ka qenë deri më tani ndër skuadrat më aktive në merkato, teksa ende priten lëvizje të rëndësishme nga ana e drejtorit Igli Tare, në përpjekjen për t’i dhënë trajnerit Allegri grupin e duhur të lojtarëve. Pikërisht tekniku ka qenë ndër të parët që ka folur përpara mediave pas mbërritjes në Singaport, ku nuk ka hezituar të zbulojë edhe objektivin kryesor të sezonit të ri. Për Allegri-n, të gjithë tek kuqezinjtë janë të vetdijshëm se qëllimi i tyre është të rikthehen të luajnë në ‘Champions League’. Mungesa e Milanit në elitën e futbollit europian nuk është diçka që kalohet lehtë në kampin kuqezi, prandaj rikthimi në ‘Champions’ duhet të ndodhë sa më shpejt. Allegri është pyetur edhe nëse e mendon ekipin e tij në luftën për titullin kampion, por 57-vjeçari deklaroi se për të marrë një përgjigje për këtë, do të duhet të pritet disa muaj. Sipas tij, është ende herët për të gjykuar secilën prej skuadrave pretendente, pasi merkato mbetet ende aktive dhe shumë gjëra do të varen edhe nga ecuria në fazën e parë.
Allegri ka pranuar po ashtu se ka patur rolin e tij edhe tek merkato e Milanit, duke konfirmuar se po punon ngushtë me drejtorin Igli Tare dhe drejtuesit e tjerë të klubit për të ndërtuar ekipin e dëshiruar. Pas Modric dhe Samuele Ricci-t, tek Milani presin të tjera afrime të rëndësishme, në të gjithë repartet, por tekniku është shprehur se mbetet i qetë dhe ka besim të plotë tek drejtuesit, pasi afati i mbylljes së transferimeve është ende larg. Ardon Jashari dhe Pervis Estupinan prej kohësh flitet për një transferim tek kuqezinjtë, që po ashtu janë në kërkim edhe të një sulmuesi qendror, por që për momentin, nuk ka asnjë emër të zbuluar në media.