Sven Botman ishte një nga dëshirat e mëdha të Milanit në merkaton e janarit, por mundësia e transferimit të holandezit ishte shumë e vogël, pasi Lille kërkon ta ketë pjesë të skuadrës deri në fundin e sezonit. Megjithatë, nga takimet e zhvilluara mes përfaqësuesve të lojtarit dhe drejtuesve të Milanit, duket qartë se e ardhmja e 22-vjeçarit mund të jetë në Itali. Një tjetër sinjal për këtë ka qenë edhe mbërritja e agjentit të Botman, Nikkie Bruinenberg në ‘San Siro’ për të ndjekur nga afër sfidën e ‘Kupës së Italisë’ mes Milanit dhe Lacios, e fituar 4-0 nga kuqezinjtë. Agjenti i mbrojtësit holandez ka qëndruar pranë drejtuesve të klubit të Milanit, me të cilët ka patur biseda të gjata edhe para apo pas ndeshjes. Të gjithë aludojnë se palët po punojnë për të bërë realitet transferimin e Botman tek Milani gjatë merkatos së verës, duke shfrytëzuar edhe marrëdhëniet e shkëlqyera me klubin e Lille. Gjatë janarit, francezët refuzuan një ofertë të rëndësishme prej 40 milionë eurosh nga Neëcastle për kartonin e shtatlartit, ndërsa Milani nuk e kaloi kuotën e 30 milionë eurove. Sven Botman shihet si një nga mbrojtësit më premtues të Europës, duke parë performancat e shkëlqyera të holandezit në radhët e Lille. I lindur më 12 janar të vitit 2000, Botman e ka nisur karrierën tek skuadrat zinxhir të Ajaksit, por asnjëherë nuk bëri debutimin me skuadrën e parë të kampionëve të Holandës. Në verën e 2020-ës, Lille vendosi të blinte kartonin e tij për 8 milionë euro, ndërkohë që vlera aktuale e Botman llogaritet në më shumë se 30 milione euro.