SERIE A, LECCE NGULMON PER SHQIPTARIN

Sport

Lece vazhdon presionin për Ylber Ramadanin, mesfushorin e përfaqësueses shqiptare, aktualisht tek Aberdin në Skoci. Sipas të përditshmes “Il Nuovo Quotidiano” të Puglia,  duket se ka pasur edhe një ofertë prej 1 milionë eurosh që është paraqitur këto ditë. Kështu që përkundër tentativave të klubeve të tjerë evropianë, verdhekuqtë e Lecces duhet të jenë në avantazh kundrejt konkurrencës. E mesa duket edhe vetë futbollisti ka dëshirë të transferohet në kampionatin italian, për të matur veten në Serinë A, aty ku luajnë disa shokë të tij te Kombëtarja.

Drejtuesit Corvino-Trinchera janë në kërkim të një mesfushori për skuadrën që drejtohet nga trajneri D’Aversa. Kështu që Ramadani është identikiti ideal, që përmbush kërkesën e tyre dhe atë të trajnerit. Prej disa kohësh, palët janë në kontakt të ngusht. E madje për një farë periudhe mësohet se nga ana e Lecces është punuar edhe në heshtje, me synimin e vetëm për të mbërritur te ish-lojtari i Partizanit, Veljkes dhe Mtk Budapestit. Nga të dhënat që vijnë, shumë shpejt mund të ketë një mbyllje të suksessshme të operacionit.

Ramdani është një mesfushor 27-vjecar, me karakteritika jo-sulmuese, por më shumë është futbollist fizik dhe shkatërrues në mesin e fushës. Ai në sezonin e fundit me Aberdinin ka koleksionuar 32 aktivime, duke arritur të gjejë edhe një herë rrugën e rrjetës. Natyrisht që bëhet fjalë për një element të rëndësishëm edhe për përfaqësuesen e Shqipërisë, ku në ndeshjet e fundit spikati si një ndër më të mirët. Por padyshim që ka ende shumë mundësi rritjeje e përmirësimi.