Serie A, Lazio vuan për triumfin ndaj Sampdorias; Fiorentina dominon në Verona

Sport

Lazio vazhdon të jetë pjesë e luftës për një vend në ‘UEFA Champions League’ në sezonin e ardhshëm, edhe pse iu desh të vuante shumë për të marrë 3 pikët në shtëpi kundër Sampdorias. Pedro dhe Ciro Immobile patën shanset më të mira në pjesën e parë, ndërkohë që tentativa më serioze e miqve erdhi në fillimin e franksionit të dytë, me Manolo Gabbiadini. Trajneri Sarri u përpoq të ndryshonte diçka në fazën sulmuese, duke hedhur në fushë Zaccagni dhe Toma Basic. Në minutën e 68, Adam Marusic humbi një shans të pastër brenda zonës, ndërkohë që goditja e Felipe Anderson në të 74-tën minutë do të ndalej nga portieri Audero. Goli i vetëm i ndeshjes do të shënohej 6 minuta më vonë, me Luis Alberto-n që zgjidhi gjithçka për të kaltërit me një goditje nga distanca.

Ndërsa Fiorentina nuk hasi shumë telashe në transfertën me Veronën, ndaj së cilës triumfoi pastër 3-0. Antonin Barak, Arthur Cabral dhe Cristiano Biraghi ishin ata që gjetën rrugën e rrjetës në një takim të dominuar krejtësisht nga të besuarit e trajnerit Vincenzo Italiano. Barak konfirmohet si njeriu i transfertave në ‘Serie A’, pasi 10 nga 12 golat e fundi të tij kanë ardhur larg shtëpisë, ndërkohë që kapiteni i violëve, Biraghi, realizoi një gol të jashtëzakonshëm, nga një distancë prej thuajse 58 metrash. 30-vjeçari gjeti të papërgatitur portierin e Veronës, Montipo, duke shënuar një nga golat më të bukur të këtij sezoni në ‘Serie A’.