Sergej Milinkovic-Savic konsiderohet si një ndër mesfushorët më të mirë në ‘Serie A’ në vitet e fundit. Shtatlarti serb luan rolin e një lideri tek skuadra e Lazio-s dhe shpesh është përfolur në merkato. 27-vjeçari ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e klubeve të mëdha europiane, por pretendimet e larta të presidentit Lotito, kanë bërë që serbi të mos ndërrojë fanellë. Milinkovic-Savic ka një kontratë me Lazio-n deri në qershorin e vitit 2024 dhe nëse mesfushori nuk do firmosë një marrëveshje të re me kryeqytetasit deri në fundin e këtij sezoni, atëherë shanset e largimit të tij në verë janë shumë të larta. Në lidhje me këtë çështje ka folur së fundmi edhe drejtori i skuadrës, Igli Tare, i cili u shfaq optimist në arritjen e një marrëveshjeje me Milinkovic-Savic. Tare u shpreh se nuk i lexon raportimet e mediave në lidhje me të ardhmen e mesfushorit, pasi pjesa më e madhe e atyre gjërave nuk janë të vërteta. Tare thotë se si ai, edhe lojtari, janë shumë të qetë në lidhje me këtë çështje. Arritja e një marrëveshjeje në një situatë të tillë kërkon kohën e vetë dhe se vetë lojtari është i ndërgjegjshëm se duhet të marrë një vendim për të ardhmen e tij deri në fundin e sezonit. Lazio nuk kërkon të privohet nga shërbimet e Milinkovic-Savic, që mbetet një nga shtyllat e skemave të trajnerit Sarri. Për shërbimet e tij, janë interesuar shpesh skuadrat angleze, me në krye Manchester United. Edhe Juventus është gati të përfitojë në rast se Milinkovic-Savic nuk do të pranojë rinovimin me Lazio-n, pasi serbi pëlqehet shumë nga trajneri Massimiliano Allegri.