Serie A, Lazio, Sarri kërkon sulmues; klubi mendon për Milik dhe Simeone

Sport

Lazio do të luajë në ‘Champions League’ në sezonin e ardhshëm dhe këtë e bën duke u renditur në vendin e dytë në ‘Serie A’. Skuadra e trajnerin Maurizio Sarri ka bërë një sezon mëse të kënaqshëm në kampionat, duke siguruar një vend mes më të mirëve të Europës, teksa konkurenca ishte shumë e fortë. Për të vijuar në këtë linjë e njëkohësisht për të garantuar një paraqitje dinjitoze në ‘Champions’ sezonin tjetër, trajneri Sarri kërkon disa investime të rëndësishme për të përforcuar skuadrën. Një nga pikat ku tekniku 64-vjeçar ka vënë theksin, është afrimi i një sulmuesi, pasi Immobile nuk mund të garantojë i vetëm gjithë repartin. Mediat kanë zbuluar dy emrat më të lakuar në brendësi të klubit kryeqytetas, me Arkadiusz Milik e Giovanni Simeone që mesa duket i përshtaten profilit të kërkuar nga Sarri. Milik ka luajtur tek Juventus si i huazuar nga Marseille. Bardhezinjtë do të ushtrojnë të drejtën e blerjes së kartonit të polakut për 7 milionë euro e më pas Lazio do të fillojë të bëjë lëvizjet e veta për një afrim të mundshëm të shtatlartit. Situatë e ngjashme edhe për Giovanni Simeone-n, për të cilin Napoli do të bëjë një tjetër pagesë tek Verona për ta blerë përfundimisht kartonin e sulmuesit argjentinas. Kampionët e Italisë janë të gatshëm të lejojnë largimin e tij nëse vjen oferta e duhur, që sipas mediave, konsiston në 20 milionë euro. Për momentin duket e vështirë që Lazio të shpenzojë një shifër të tillë, mirëpo një lëvizje e tillë nuk konsiderohet e pamundur, nëse do të arkëtohen të ardhura nga lojtarët që do të shiten në merkaton e verës. Milik pati disa probleme me dëmimtet gjatë sezonit që lamë pas, duke mos qenë gjithmonë i gatshëm për Juventus-in. Gjithësesi, polaku numëron 32 ndeshje të luajtura mes kampionatit italian dhe ‘Champions League’-ës, duke shënuar 9 gola. Kurse Simeone, edhe pse është parë gjithnjë si alternativë e Osimhen, numëron 9 gola të shënuar në 33 ndeshje në të gjitha kompeticionet.