Serie A, Lazio, Luis Alberto kërkon të qartësojë të ardhmen

Sport

Luis Alberto-s duket se i është sosur durimi. Fantazisti spanjoll kërkon të qartësojë të ardhmen e tij sa më shpejt të jetë e mundur, teksa bisedimet për rinovimin e kontratës me Lazio-n kanë mbetur në vendnumëro. Një postim i lojtarit në rrjetet sociale ka shprehur mjaft mirë irritimin e Luis Alberto-s për këtë situatë, duke dhënë një mesazh të qartë edhe tek presidenti Lotito, apo klubet që interesohen për shërbimet e tij. ‘Ekziston një kufi përtej të cilit durimi pushon së qënuri një virtyt”. Janë këto fjalët e fantazistit, që thuhet se ka debatuar për këtë çështje edhe me përfaqësuesit e tij. Sipas asaj që zbulojnë mediat italiane, Luis Alberto ka patur një bisedë me presidentin Lotito, ku paramisht është vendosur të flitet për një zgjatje të kontratës së tij, si dhe një rritje e pagës së spanjollit, që në fund të shtatorit të ardhshëm do të mbushë 31 vjeç. Marrëveshja aktuale e mesfushorit me klubin kryeqytetas skadon në qershorin e 2025-ës, ndërsa parimisht ishte rënë dakord që të kishte një zgjatje të bashkëpunimit deri në 2027-ën, teksa paga vjetore e lojtarit, do të kapte shifrën e 4 milionë eurove.

Largimi i Milinkovic-Savic drejt Arabisë Saudite ka bërë që trajneri Sarri të kërkojë përforcime të rëndësishme në mesfushë, duke marrë në konsideratë se serbi ishte një nga më të rëndësishmit për formacionin e tij. Një nga afrimet për Lazio-n do të jetë Soë nga Eintracht Frankfurt, me 26 vjeçarin që ende nuk konfirmuar zyrtarisht si një lojtar i klubit italian. Për kartonin e tij, Lotito thuhet se do të paguajë 16 milionë euro, ndërkohë që flitet se do të ketë edhe një afrim tjetër të rëndësishëm. Kjo mund të bëjë të mundur që Luis Alberto të mos ketë një rritje të pagës, duke qenë se drejtuesit e kanë bërë të qartë se do të kenë një ‘tavan’ sa i përket shpenzimeve për pagat e lojtarëve, duke llogaritur këtu edhe ata që do të transferohen gjatë kësaj vere. Sezonin që lamë pas, Luis Alberto luaji 35 ndeshje në ‘Serie A’, me fantazistin spanjoll që ishte protagonist me 6 gola e 7 asiste, ndërkohë që verën e kaluar, presidenti Lotito bllokoi dy herë largimin e lojtarit, për shkak të pretendimeve të larta për kartonin e tij.