Sergej Milinkovic-Savic pritet të largohet nga Lazio gjatë kësaj merkatoje verore, me mesfushorin serb që prej kohësh e ka hedhur poshtë mundësinë e rinovimit të kontratës së tij me kryeqytetasit. Marrëveshja aktuale skadon në qershorin e vitit të ardhshëm dhe tek Lazio kërkojnë të përfitojnë diçka nga largimi i 28-vjeçarit. Për mesfushorin kanë shfaqur interes skuadra si Milan, Inter apo Juventus, që mund të bëjnë edhe sakrifica financiare për të arritur firmën me serbin. Po ashtu, për kartonin e tij interesohen edhe klube nga jashtë Italisë, me ata nga ‘Premier League’-a që mbeten të gatshme të plotësojnë kërkesat e Lazio-s. Presidenti i ‘të kaltërve’, Claudio Lotito nuk ka ndërmend të bëjë hap pas sa i përket pretendimeve të tij për kartonin e Milinkovic-Savic. Siç mediat italiane zbulojnë, numri 1 i Lazio-s e ka bërë të qartë për përfaqësuesit e lojtarit se ai nuk do të pranojë asnjë ofertë nën shifrën e 30 milionë eurove. Takimi mes palëve nuk duket të ketë qenë dhe aq miqësor, pasi Milinkovic-Savic aktualisht flitet se ka një akord verbal me drejtuesit e Juventusit, për një kontratë 5-vjeçare, me një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon. Serbi ka dhënë pëlqimin e tij për realizimin e kësaj lëvizjeje, mirëpo tek Juventusi nuk janë në situatën e duhur financiare për të bërë një shpenzim prej 30 milionë eurosh për një lojtar që është në skadencë kontrate pas një viti. Bardhezinjtë kanë propozuar përfshirjen e të riut Rovella në marrëveshje, por Lotito e ka refuzuar, duke mos hequr dorë nga kërkesa e tij fillestare. Në këtë mënyrë, edhe pse mesfushori serb ka një akord primar me Juventusin, klubet e tjera mund të përfitojnë duke plotësuar kushtet e vendosura nga ana e presidentit të Lazio-s, i cili në fakt preferon që 28-vjeçari të transferohet jashtë Italisë. Sergej Milinkovic-Savic është pjesë e Lazio-s që nga vera e 2015-ës, kur për kartonin e tij u shpenzuan 12 milionë euro. Në sezonin që lamë pas, serbi bërë sërish paraqitje konstante, me 9 gola e 8 asiste në 36 ndeshje të zhvilluara në ‘Serie A’.