Serie A, Lazio afron Kamada e Isaksen; klubi shtyn për rinovimin me Luis Alberto

Sport

Rinovimi i kontratës së Luis Alberto-s është kthyer në një situatë serioze tek Lazio. Lojtari nuk u paraqit në seancën stërvitore të 1 gushtit, në shenjë proteste ndaj indiferencës së klubit italian ndaj mesfushorit, të cilit i ishte premtuar në fundin e sezonit të kaluar një rinovim i kontratës dhe një rritje e ndjeshme e pagës. Mirëpo gjërat nuk kanë shkuar sipas planeve për spanjollin, pasi drejtuesit e klubit nuk kanë bërë hapa konkretë në lidhje me rinovimin e kontratës së tij. Luis Alberto është rikthyer në stërvitje dhe thuhet se këtë hap prapa, e ka bërë pë shkak se nuk kërkon të shfaqë mungesë respekti ndaj trajnerit Sarri, stafit të tij dhe shokëve të skuadrës, ndërkohë që ende pret sqarime nga drejtuesit e klubit.

Në anën tjetër, Lazio vazhdon të bëjë lëvizje në merkato, duke siguruar firmat e Gustav Isaksen dhe të Daichi Kamada-s. Për talentin danez të Midtjylland, ‘të kaltrit’ do të paguajnë rreth 10 milionë euro, plus 2 milionë të tjerë në formë bonusesh. Kjo shihet si një marrëveshje mjaft e mirë për Lazio-n, që ka arritur të sigurojë firmën me një lojtar që konsiderohet mjaft premtues, e për të cilin kishin shfaqur interes dhe klube të tjera të rëndësishme. Isaksen do të firmosë një kontratë 5-vjeçare, nga ku do të përfitojë rreth 1,5 milionë euro në sezon. 22-vjeçari luan si sulmues i krahut të djahtë dhe gjatë edicionit të kaluar, zhvilloi 45 ndeshje me fanellën e Midtjylland, me 22 gola të shënuar e 9 asiste.

Ndërsa Kamada vjen si lojtar me parametra zero, pasi japonezit i kishte skaduar kontratë me Eintracht Frankfurt. Fantazisti kishte arritur që në fillim të qershorit një marrëveshje me Milanin, por në fund kuqezinjtë vendosën të bënin hapa prapa, duke e përqëndruar merkaton e tyre në të tjerë lojtarë. Lazio përfitoi dhe ia del të afrojë një lojtar që mund të jetë mjaft i vlefshëm për trajnerin Sarri, duke qenë se japonezi mund të luajë thuajse në çdo pozicion të mesfushës.