Serie A/ Juventusi rikthehet tek fitorja, rekord për Vlahoviç

Sport

Juventusi I ka dhënë fund ecurisë prej 3 ndeshjesh pa fitore në kampionat. Në javën e 21, bardhezinjtë triumfuan me rezultatin 3-0 ndaj Salernitanës në trasnfertë. Kjo ishte hera e parë këtë sezon, që Zonja e Vjetër shënoi më tepër sesa një gola jashtë shtëpie.

Sfida u zhbllokua në minutën e 26-të, me Dusan Vlahoviç që u tregua I saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Sulmuesi ballkanas ka realizuar 93% të penalltive që prej kohësh kur është transferuar në Serie A. Ose ndryshe, ka mundur të dërgojë në rrjetë, 14 nga 15 11 metërshat që ka ekzekutuar në total. Kjo është saktësia më e mirë ndonjëherë e një futbollisti në elitën e futbollit italian në 15 penalltitë e para të ekzekutuara.

Më pas, në të 45-tën, Filip Kostiç shënoi edhe të dytin për Juventusin, duke I dhënë ekipit bardhezi një avantazh të sigurt në pushimin mes pjesëve. Sakaq, vetëm 120 sekonda pasi skuadrat ishin rikthyer në fushë, Dusan Vlahoviç e gjeti sërish rrugën e rrjetës. Ky ishte goli I 8-të sezonal për 23 vjeçarin, I cili në këtë mënyrë është duke lënë pas probblemet fizike dhe ka nisur të vijë në ndihmë të ekipit të drejtuar nga Massimiliano Allegri.

Me këtë fitore, Juventusi është ngjitur në vendin e 10 të tabelës së klasifikimit në kuotën e 26 pikëve, ndërsa Salernitana mbetet në vendin e 16-të, në kuotën e 21 pikëve.

Ndërkohë, ditë pas dite, Juventusit po I boshatiset edhe infermieria. Pasi Di Maria dhe Chiesa kanë filluar të marrin minuta, në kampin bardhezi presin rikthimin e Paul POgba dhe Leonardo Bonuçit. Sa I përket situatës së Pogba, mesfushori mund të rikthehet ndaj Fiorentinës në funsjavë, ose ndaj Nantes në Europa League.