Serie A, Juventusi fiton me përmbysje dhe “blindon” zonën Champions

Sport

Juventusi mund ta konsiderojë të mbyllur tashmë çështjen e vendit të 4 në kampionat. Në javën e 34 të Serisë A, bardhezinjtë arritën një fitore mjaft të rëndësishme në transfertën e Sassuolos, me shifrat 2-1.

Në pjesën e parë, vendasit po tregonin më tepër dëshirë për të gjetur golin e avantazhit, por ishte portieri Shezni ai që me disa pritje fantastike e mbajti portën të paprekur.

Megjithatë, polaku u dorëzua në minutan e 39-të, aty ku Raspadori goditi saktë dhe e kaloi topin pas krahëve të gardianit bardhezi. Raspadori bëhet lojtari i parë italian i lindur në vitin 2000 që arrin të shënojë të paktën 10 gola brenda një sezoni të vetëm në Serinë A.

Sassuolo mori avantazhin, mirëpo, nga ana tjetër, ky gol i pësuar e zgjoi Juventusin, që arriti të barazonte shifrat në minutën e fundit të pjesës së parë, me anë të Paulo Dybala. Në këtë mënyrë, argjentinasi, arrin në kuotën e 81 finalizimeve në kampionatin italian me fanellën e Zonjës së Vjetër, po aq sa Cristiano Ronaldo.

Më pas, rezultati do mbetej në ekuilibër deri në minutën e 88-të, kur Moise Kean i ardhur nga stoli shënoi golin e avantazhin për Juventusit, që në këtë mënyrë, blindon vendin e 4 në klasifikim me 66 pikë, 8 më tepër sesa ndjekësit e Romës. Me 4 javë të mbetura deri në fund të kampionatit, Zonja e Vjetër tashmë e ka thuajse të siguruar kualifikimin në Champions League për edicionin e ardhshëm futbollistik.