Juventusi ka nisur ngjitjen në tabelën e renditjes. Në javën e 22 të Serie A, skuadra bardhezi fitoi me rezultatin minimal 1-0 përballë Fiorentinës, me golin e shënuar nga Adrien Rabiot në minutën e 34 të pjesës së parë.
Rabiot, së bashku me Dusan Vlahoviç, me nga 6 finalizime secili, janë dy lojtarët e vetëm këtë sezon që kanë shënuar më tepër gola sesa çdo lojtar tjetër I Zonjës së Vjetër në “Allianz Stadium”.
Në fakt, rezultati 1-0 nuk është një rastësi për Juventusin, por është një statistikë e lidhur ngshtë me trajnerin Massimiliano Allegri. Me 353 ndeshje që Allegri e ka drejtuar skuadrën në të gjitha kompeticionet, në 55 prej tyre, ekipi torinez ka fituar 1-0. Një tregues ky që Allegri I mëshon tej mase lojës mbrojtëse.
Fitorja e arritur ndaj klubit vjollcë, e ka ngjitur Juventusin në vendin e 9-të të tabelës së klasifikimit, në kuotën e 29 pikëve, teksa në ndeshjen e ardhshme do luajnë në transfertën e Spezias. Një transfertë, në të cilën, me shumë mundësi, Allegri ende nuk do ketë një dispozicion Paul Pogba. Në konferencën për shtyp, tekniku njoftoi se lojtari vijon të ketë probleme në gju dhe nuk është ende gati që të luajë ndeshjen e tij të parë sezonale.