Serie A/ Juventusi arrin fitoren e 5-të radhazi, ngjitet në zonën Champions

Sport

Juventusi fiton ndeshjen e javës së 14-të në Serie A, sikurse ishte ajo ndaj Veronës, me rezultatin minimal 1-0. Pas një pjese të parë me rrjeta të paprekura, në të dytën, sfida do të zhbllokohej vetëm në të minutën e 60-të. Personazhi që e dërgoi topin në fundin e rrjetës ishte Moise Kean. Sulmuesi i qendrës ia ka dalë të shënojë në të 3-ja ndeshjet e fundit që ka luajtur si titullar me Zonjën e Vjetër.

Kjo ishte fitorja e 5-të radhazi në kampionat këtë sezon për Juventusin. Madje, këto fitore kanë ardhur pa pësuar asnjë gol. Për herë të fundit, një gjë e tillë për Juventusin ndodhte në dhjetor të 2018-tës dhe atëherë në krye të pankinës, ishte pikërisht Massimiliano Allegri.

Falë kësaj ecurie pozitive, ekipi torinez, tashmë është ngjitur në vendin e 4 të tabelës së klasifikimit në kuotën e 28 pikëve, 2 më pak sesa Lazio e milan të vendit të 2-të e të 3-të dhe 10 më pak sesa Napoli kryesues.

Përpara pauzës së Kupës së Botës, këtë fundjavë, Juventusi pret në shtëpi Lazion, ndeshje që do jetë e vlefshme për javën e 15-të të Serie A. Në rast të një tjetër 3 pikëshi, skuadra e Allegrit do i mundësonte vetes një pozicion më komod në tabelën e renditjes.