Serie A, Juventus zgjedh Spalletti-n si trajnerin e ri të skuadrës

Sport

Luciano Spalletti është përzgjedhja e drejtuesve të Juventus për të marrë postin e trajnerit të skuadrës. Një nga emrat më të rëndësishëm të trajnerëve italianë rikthehet në detyrë në ‘Serie A’, teksa do të përpiqet të ndryshojë kursin e bardhezinjve, pasi një serie prej plot 8 ndeshjesh pa fitore. Spalletti nuk ishte i vetmi emër i përmendur si pretendent për të drejtuar skuadrën nga Torino, por për anëtarët e bordit bardhezi, ishte ai që sillte më shumë garanci për të ndryshimin e situatës sa më shpejt të jetë e mundur. Tashmë 66-vjeçar, Spalletti rikthehet në ‘Serie A’ për herë të parë që nga sezoni 2022/23, kur drejtonte Napolin drejt titullit historik kampion. Aventura e tij në krye të përfaqësueses italiane nuk shkoi ashtu siç ishte menduar, duke u larguar pas 24 ndeshjesh, ndërkohë që tek Juventusi gjen një skuadër të mbushur me elementë cilësorë, por që kërkojnë një ‘frymë të re’ brenda ekipit. Bashkë me 66-vjeçarin, tek Juventusi do të mbërrijë edhe stafi i tij me njerëz të besuar, që do të duhen të punojnë me Darren Burgess, që është edhe njeriu që ndjek performancën dhe përgatitjen teknike e fizike të ekipit. Spalletti pritet të drejtojë për herë të parë bardhezinjtë në ndeshjen e javës së dhjetë, kundër Cremonese-s, në transfertë. Kjo do të jetë hera e parë që ai punon me klubin torinez, teksa në karrierën e tij, ai ka punuar me skuadra si Empoli, Sampdoria, Venezia, Udinese, Ancona, Roma, Inter dhe Napoli. Ndërkohë, eksperienca e vetme e Spalletti-t në rang klubesh, jashtë kampionatit italian, ka qenë në Rusi, kur drejtoi nga viti 2009, deri në 2014-ën. Me Napolin, Spalletti qëndroi në stol për 96 ndeshje, teksa regjistroi një mesatare prej 2,10 pikësh për ndeshje.