Serie A, Juventus, zëvendësuesi i De Ligt; veç Bremer, në listë edhe Gabriel e Pau Torres

Sport

Me Matthijs De Ligt gjithnjë e më pranë largimit, Juventusi vijon kërkimet për zëvendësuesin ideal të holandezit në qendër të mbrojtjes. Bardhezinjtë prej ditësh kanë kërkuar të intensifikojnë kontaktet me Torinon në lidhje me brazilianin Gleison Bremer, por ky i fundit është i destinuar për t’u bashkuar me Interin. Kështu, drejtuesit e Juventusit po shqyrtojnë mundësitë e tjera që ofron kjo merkato e verës dhe dy janë emrat më të rëndësishëm që po përfliten deri më tani në kampin bardhezi. Gabriel Magalhaes shihet si një lojtar me mjaft prespektivë, duke parë atë se çfarë ka dhënë deri më tani 24-vje╙ari në radhët e Arsenalit.

I gjatë 1 metër e 90 centimetra dhe me të dhëna të shkëlqyera sa i përket aspektit fizik, Gabriel shihet si një mundësi e mirë për Juventusin, që mendon të ofrojë 40 milionë euro për kartonin e tij, sapo të zyrtarizohet largimi i De Ligt, i përfolur për një kalim tek Bayern. Gjithësesi, arritja e një marrëveshje me Arsenalin nuk ka për të qenë e lehtë, duke njohur faktin se aspekti financiar për klubet angleze nuk përbën ndonjë problem.

Tek Juventusi po studiojnë me kujdes edhe situatën e Pau Torres. Shtatlarti i Villarreal bëri një sezon të shkëlqyer gjatë 2021/2022-shit, duke qenë protagonist në një ecuri historike të ‘nëndetëses së verdhë’ në ‘Champions League’. 25-vjeçari ka një kontratë me Villarreal-in deri në qershorin e 2024-ës dhe tek Juventusi duhet të shpenzojnë rreth 50 milionë euro, nëse kërkojnë të bindin klubin spanjoll për të lënë të lirë kartonin e Pau Torres. Vetë mbrojtësi ka shprehur disa herë dëshirën për të provuar një aventurë të re, në një klub të madh dhe ofertat për të nuk mungojnë. Në fund, Villarreal do të kërkojë të përfitojë sa më shumë nga shitja e tij, por dëshira e vetë lojtarit mund të luajë një rol të rëndësishëm në gjithë këtë situatë.