Serie A, Juventus, Yildiz u ndëshkua me karton të kuq ndaj Monza-s; turku rrezikon pezullimin për 2 ndeshje

Sport

Suksesi i Juventusit ndaj Monzës në javën e 34-t nuk u shijua si duhet nga bardhezinjtë për shkak të kartonit të kuq të Kenan Yildiz. 19-vjeçari turk u ndëshkua në shtesën e pjesës së parë, pas një goditjeje të qëllimshme që i dha kundërshtarit, Alesssandro Bianco. Në këtë situatë, ishte sistemi ‘VAR’ që ndërhyri për t’i tërhequr vëmendjen e këtij episodi arbitrit Perenzoni, që nuk u mendua dy herë pasi e ripa në ekran atë se çfarë kishte ndodhur, por ndëshkoi menjëherë me karton të kuq Yildiz. Veprimi i turkut është konsideruar si një lëvizje e dhunshme dhe e qëllimshme, çfarë do të thotë se lojtari i Juventus rrezikon të mungojë për të paktën 2 ndeshje.

Yildiz ka kërkuar ndjesë përpara publikut bardhezi, përpara daljes nga fusha, teksa të njëjtën gjë raportohet të ketë bërë edhe në dhomat e zhveshjes tek shokët e skuadrës, ku disa prej tyre thuhet se janë irrituar nga veprimi i nxituar i Yildiz. GJithësesi, trajneri Tudor i ka dalë në mbrojtje lojtarit turk, duke thënë se kjo do të vlejë si një mësim për të. Fatmirësisht për Yildiz, Juventus kishte një avantazh prej 2 golash në momentin e daljes së tij nga fusha, çfarë bardhezinjtë e menaxhuan shumë mirë. Por mungesa e tij në ndeshjet e radhës ndaj Bologna-s dhe Lazio-s, është një minus i madh për Juventusin dhe trajnerin Tudor, që e ka parë djaloshin turk si një element të rëndësishëm të skemave të tij. Duke ditur rëndësi e sfidave në fjalë për zonën ‘Champions’, kuptohet që ai karton i kuq i Yildiz i kushton jo pak skuadrës.

Që nga viti 2010, Kenan Yildiz është lojtari më i ri në moshë i Juventusit që ndëshkohet me karton të kuq në një ndeshje të ‘Serie A’. 15 vite më parë, Manuel Giandonato, asokohe 19 vjeç e 70 ditë, ndëshkohej me karton të kuq në një sfidë kundër Chievo-s.