Serie A, Juventus, Vlahovic tani është çështje; bardhezinjtë gati të dëgjojnë ofertat

Sport

Ndonëse e ka nisur si titullar, në 4 përballjet e fundit të ‘Serie A’ për Juventus, Dusan Vlahovic nuk ia del të gjejë rrugën e rrjetës, e as të asistojë për shokët e skuadrës. Edhe pse në dukje nuk është një situatë aq dramatike, pasi dopietës së serbit ndaj Salernitanës në javën e 21, për drejtuesit e Juventus, rendimenti i Vlahovic nuk është i kënaqshëm. Sulmuesi numëron vetëm 8 gola të realizuar në elitën e futbollit italian përgjatë këtij sezoni, dy prej të cilëve nga pika e bardhë e penalltisë. 23-vjeçari erdhi tek bardhezinjtë për të bërë bomberin klasik brenda zonës, çfarë Juventusit i ka munguar prej kohësh, por deri më tani, Vlahovic nuk e ka justifikuar investimin prej 82 milionë eurosh që klubi torinez bëri në janarin e 2022-shit. Ajo se çfarë i shqetëson më shumë drejtuesit e klubit dhe trajnerin Allegri, është fakti që Vlahovic nuk po ja del dot as të godasë portën kundërshtare. Në takimin e humbur ndaj Romës në ‘Olimpico’, serbi goditi vetëm një herë, tentativë që erdhi me pak fat dhe pa asnjë kërcënim për portierin Rui Patricio. Kjo është një situatë e përsëritur për Vlahovic, i cili nëse nuk rigjen formën e tij sa i përket golave dhe kontributit në fushën e blertë, atëherë mund ta shohë emrin në merkaton e ardhshme verore. Mediat italiane janë të sigurta në raportimet e tyre se tek Juventusi janë të gatshëm të dëgjojnë ofertat që mund të vijnë në drejtim të sulmuesit, ndonëse pretendimet për kartonin e tij nuk do të jenë të vogla. Aktualisht, të vetmet klube që kanë shfaqur interes për kartonin e 23-vjeçarit e që mund të përballojë çmimin prej më shumë se 80 milionë eurosh që pretendojën tek Juventusi, janë Bayern Munich, Manchester United dhe Tottenham. Vetë lojtari kërkon të qëndrojë në Torino dhe kjo është konfirmuar edhe nga e fejuara e tij, prandaj Vlahovic do të përpiqet të japë më të mirën gjatë pjesë së mbetur të sezonit, për të fituar edhe njëherë pozicionin si një lider i skuadrës.